Zoti që të nxitë të shumosh talentat e tu!

Nov 18 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXXIII gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Fu 31, 10-13.19-20.30-31

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve. Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit

 

Psalmi   128

Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit

—————————————-

Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej punës

së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh.

—————————————-

Gruaja jote: vresht plot fruta

në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri

përreth tryezës sate!

—————————————-

Ja, se si bekohet njeriu

që e druan Zotin!

Të bekoftë Zoti prej Sionit,

e pafsh lumturinë e Jerusalemit

në të gjitha ditët e jetës sate.

—————————————-

 

Leximi i dytë   1 Sel 5, 1-6

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, përsa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’paqe dhe ç’siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë. Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 25, 14-30

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secili sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehi paranë e zotërisë së vet. Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ I përgjigji zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’ U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ I përgjigji zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’ Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij i përgjigji me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Njeriu përballë historisë duhet të sillet në mënyrë vepruese dhe të përgjegjshme. Historia është si një kantier, në të cilin çdo njeri duhet të jetë punëtor gjatë jetës së tij tokësore.

“Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët”. Ndodhte shpesh që një pronar që zakonisht nuk ishte i pranishëm, ua besonte të mirat e tij administratorëve. Dy shërbëtorët e parë të shëmbëlltyrës i vihen menjëherë punës dhe arrijnë rezultate të mira; shërbëtori i tretë shfaqet i frikësuar e fsheh çfarë ka marrë, duke e vendosur nën tokë.

Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve”. Në kthim pronari do të verifikojë angazhimin e shërbëtorëve për t’i vlerësuar talentet e marra. Dy shërbëtorët e parë marrin pjesë në gëzimin e pronarit, nuk meritojnë vetëm detyra të mëdha, por bashkimin me pronarin, Hyjin, që do t’i pranojë, pas gjykimit të Birit të vet. Shërbëtori i tretë pranon frikën e tij si motiv pasiviteti, sepse pronari është i ashpër dhe kërkues. Por pronari dënon shërbëtorin e lig e dembel. Atij i hiqet talenti dhe mundësia për të hyrë në mbretërinë.

Nuk është e mjaftueshme të ruajmë atë që kemi marrë, dhurata natyrale, tradita fetare, njohje: është e rëndësishme të japin fryte, të përdoren. Edhe ne mund të jetojmë pritjen e gjykimit, duke menduar një Hyj të ashpër dhe kërkues, e të lejojmë të paralizohemi nga pasiviteti dhe indiferenca. Hyji pret prej nesh një angazhim që lind nga dashuria e merr mbi vete nevojat e më të fundmëve.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Secili prej nesh ka marrë shumë dhurata, që na i jep mirësia e Atit. Na ndihmoftë Zoti që të dimë t’i vlerësojmë. Të lutemi së bashku duke thënë:

 

Na dëgjo, o Zot.

 

L. Për Kishën, që ka marrë në dorë dhuratat që rrjedhin prej Krishtit: që t’i përdorë për të ndërtuar mbretërinë e Zotit mbi tokë. Të lutemi.

L. Për qeveritarët dhe ligjvënësit, që të punojnë për të mirën e përbashkët dhe të mbrojnë të varfërit dhe të pambrojturit. Të lutemi.

L. Që në çdo anë të botës të punohet me efektshmëri për të zhdukur skandalin e mosushqyerjes dhe të urisë dhe pasuritë e tokës të ndahen mes popujve. Të lutemi.

L. Që në kremtimin e ditës evropiane për të vdekurit nga aksidentet rrugore, të afërmit e tyre të mbështeten në dhimbjen dhe institucionet qytetare të nxisin nisma dhe ligje për respektin e jetës dhe sigurinë e rrugëve. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë: që secili prej nesh, të angazhohet për të vlerësuar të mirat njerëzore të marra duke ditur se do të gjykohemi nga Zoti Atë. Të lutemi.

M. O Hyji Atë, gjithçka vjen prej teje. Na ndihmo t’i vlerësojmë dhuratat e tua.  Na jep forcën që të ripërtërijmë së bashku me ty faqen e tokës.  Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »