Të zgjedhësh sigurinë apo rrezikimin?

Nov 19 • Meditimi i ditës

19 nëntor 2017 – E diela 33-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 31,10-13.19-20.30-31; Ps 128,1-5; 1Sol 5,1-6; Mt 25,14-30)

 

Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.
Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

Zot, bëj që kurrë mos ta marrë dhuratën e lirisë
si diçka të vetëkuptueshme.
Ti ma ke dhënë bekimin e madh të lirisë së shpirtit.
Mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe 
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia zgjuar mos e harrofsha kurrë mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 25, 14-30

 

14 “Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i futi në punë e me ta fitoi edhe pesë të tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i nxori para edhe pesë të tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë të tjerë që i fitova.’ 21 Iu përgjigj zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy të tjerë që i fitova!’ 23 Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’ 26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta! 29 Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm nxirreni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’“

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Përqendrohu së pari te të gjithë ata shërbëtorë që punuan me zell për zotërinë e tyre. Shpërblimi i tyre? Hyrja në gëzimin e Zotit. Mund të imagjinosh lloje të ndryshme argëtimesh, dhuratash, ndjenjës së përmbushjes dhe gëzimit të gjithëmbarshëm, universal.
  • “Talenti” ishte një sasi e madhe (vlerë e madhe) në kohën e Ungjillit, pra, zotëria u kishte besuar shërbëtorëve të tij një sasi të madhe. Sigurisht që është shumë i kënaqur me punën e shërbëtorëve të tij. Ai u zhgënjye vetëm me atë që kishte vendosur për të pasur siguri dhe jo për të rrezikuar.
  • Papa Françesku për ata që në Kishë e jetojnë “një psikologji varri”, thotë: “Mos të lejojmë të na heqin gëzimin e ungjillëzimit! Ata që janë të zhgënjyer me realitetin, Kishën dhe vetveten janë në tundim të përhershme të bien në dëshpërim, pa shpresë, që e rrëmben zemrën si “pije djallëzore!” Të thirrur të rrezatojnë dritë dhe të përçojnë jetë në fund janë të robëruar me gjëra që prodhojnë vetëm errësirë dhe ngopje të brendshme dhe ngadalë e reduktojnë zellin për apostullim. Për shkak të gjitha këtyre, po e përsëris: Mos të lejojmë që të privohemi nga gëzimi i ungjillëzimit!”

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës time të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »