A i shoh (edhe) të mirat në botë?

Nov 20 • Meditimi i ditës

20 nëntor 2017 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Mak 1,10-15.41-43.54-57.62-64; Ps 119,53.61.134.150.155.158; Lk 18,35-43)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe çdo gjëje që më rrethon.
Disa momente do të qëndroj në heshtje,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit..

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në hapësirën ku gjendem,

edhe atëherë, në heshtjen vetë, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,

a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 18, 35-43

 

35 Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është. 37 Ata i thanë:

“Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.”

38 Ai zuri të bërtasë:

“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe:

“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:

41 “Çka dëshiron të bëj për ty?”

Ai u përgjigj:

“Zotëri, që të shoh”

42 “Shih! ‑ i tha Jezusi ‑ Të shpëtoi feja jote!”

43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi nuk shëron pa qenë i ftuar, ai pret që të pyetet, të marrë kërkesa. Ajo që përjashta duket si një nevojë tejet e madhe (p.sh. të parit – shikimi) për ata që nuk shikojnë, që nuk e kanë dritën e syve kjo është një gjendje ‘normale’ dhes`do të mund të imagjinonin ndryshe. Prandaj Jezusi kontrollon duke i bërë pyetje: ”Çka dëshiron të bëj për ty?”
  • O Zot, ekziston një lloj i shikimit që po e kërkoj prej teje: që t`i përdor plotësisht sytë e mi, që ta vlerësoj çdo nuancë të ngjyrave që më rrethojnë, që ta vërej jetën dhe emocionet në fytyrat dhe trupat e njerëzve të tjerë, ta çmoj dhe të jem i/e hapur ndaj botës së madhërishme të botës së shikimit dhe vëzhgimit që do të më mungonte po të kisha qenë si ky njeri i verbër.

 

Bashkëbisedimi

Bashkëbisedimi nënkupton të folurit dhe të dëgjuarit.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka Ai dëshiron të më thotë.

E paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Do t`ia çeli zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

duke gjetur strehim tek Ai,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di dhe ma do atë më të mirën për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »