Zoti dëshiron t`i ndryshojmë gjërat dhe botën  

Nov 22 • Meditimi i ditës

22 nëntor 2017 – E mërkure, Shën Çeçilia, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Mak 7,1.20-31; Ps 17,1.5-6.8.15; Lk 19,11-28)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Do të gjej strehim te zemra jote të butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin e lirisë së shpirtit.
Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,

ma përkujto, o Zot,

se gjithmonë je pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 19, 11-28

 

11 Ndërsa ata po e dëgjonin, ai shtoi shëmbëlltyrën për arsye se mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyjit aty për aty, pse Jezusi ishte afër Jerusalemit. 12Tha, pra:

“Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. 13 I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’

14 Por bashkëqytetarët e tij e urrenin dhe dërguan pas tij përfaqësues për të thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.’

15 Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ia sjellin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar.

16 Doli i pari dhe tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha dhjetë mna.’ 17 Ai iu përgjigj: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë! Pasi qe besnik në një gjë kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!’

18 Erdhi edhe i dyti e tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha edhe pesë mna.’ 19 ‘Sundo ‑ i tha edhe këtij ‑ edhe ti mbi pesë qytete!’

20 Atëherë erdhi një tjetër e tha: ‘Zotëri, qe mnaja jote! E ruajta të mbështjellë në rizë. 21 U frikësova prej teje sepse je njeri i rreptë: merr çka nuk depozitove, korr çka nuk mbolle.’

22 Ai iu përgjigj: ‘Të dënoj pikërisht prej fjalëve të tua, shërbëtor i keq! E dite se jam njeri i rreptë, që marr çka nuk depozitova, korr çka nuk mbolla! 23 Pse nuk e depozitove paranë time në bankë që, kur të kthehesha, ta merrja bashkë me kamatë?’ 24 Atëherë u tha të pranishmëve: ‘Merrjani mnanë e jepjani atij që ka dhjetë!’ [25 Ata i thanë: ‘Zotëri, ai i ka dhjetë mna!’] 26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 27 Ndërkaq armiqtë e mi ‑ ata që nuk më deshën për mbret ‑ sillni këtu dhe vritni para syve të mi!”

28 Si i tha këto, vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Disa aspekte të kësaj shëmbëlltyre mund të na tronditin: fisniku mizor me robër; mbreti që do t`i shkatërrojë nënshtruesit hezitues.
  • Megjithatë mbetet tema qendrore: Hyji kërkon që ta përdorim atë që ne është dhënë, talentet e veçanta që na karakterizojnë. Ai dëshiron t`i ndryshojmëgjërat dhe botën, e jo të pushojmë në njëfarë pjese të rehatshme të sigurisë vetjake.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Ndërsa bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka dëshiron ai të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës që më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që të mund në plotësi t`i besohem kujdesit të tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »