Jerusalemi, qoftë nëna e bijve të Abrahamit!

Nov 23 • Meditimi i ditës

23 nëntor 2017 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Mak 2,15-29; Ps 50,1-2.5-6.14-15; Lk 19,41-44)

 

Prania e Hyjit

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të bëhem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojë dëshira për posedim dhe për pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të të shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 19, 41-44

 

41 Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha:

“O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi qau mbi qytet. Semitët që jetojnë atje, disa Arabë dhe Hebrenj ende qajnë mbi qytet. Ne që jetojmë larg, nuk mund ta harrojmë qytetin e Jezusit.
  • Mu thaftë dora, në qoftë se të harroj ty, o Jerusalem. Gjuha mu ngjittë për qiellzën e gojës nëse të harroj e s`të vë në majat e gëzimit tim.
  • O Zot, Hyji i Hebrenjve, Myslimanëve dhe të Krishterëve, ki mëshirë për Jerusalemin që të pushojë së qeni shenjë kundërshtish dhe të bëhet nëna e bijve të Abrahamit.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhe gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »