At’ Zef Pllumi – risi dhe paharrueshmëri

Nov 24 • Kulturë

 Dhjetëvjetori i vdekjes dhe hapja e ekspozitës në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” Prishtinë

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Populli ynë thotë: Rrëno e mëso. Atë Zef  Pllumbi është një histori e gjallë dhe tronditëse e tmerri dhe ferrit shqiptar, që pa “dorëza” tregohet dhe dëshmohet e keqja, urrejtja, mllefi, mashtrimi, ideologjia komuniste dhe ateiste, djallëzia, e keqja gati e pakufishme, gjithsesi e pakuptueshme, deri te “krijimtari” për të keqe. Mirëpo kjo histori dhe dëshmi ka edhe anën tjetër, ku  vjen në spikamë pësimi, vuajtja, Golgota, qëndresa, feja në Zotin,  pafajësia, shpresa, duresa, “stoicizmi i krishterë”, deri te ngadhënjimi, paqja, liria, demokracia, ngjallja, që përmblidhen  në kryeveprën e tij “Rrno vetëm me tregue”. Në gjitha shkrimet dhe shënimet e tija nuk ka ndjenjë për hakmarrje, revanshizëm, por çdo shkronjë dhe rresht mbështetet dhe buron nga dy shtylla të jetës së krishterë: e Vërteta dhe Dashuria, që aftësojnë dhe dhurojnë vlerën e madhe të faljes dhe të pajtimit.

Dyluftimi është i qartë dhe i pabarabartë: Davidi dhe Goliati, feja dhe ateizmi, jeta dhe vdekja, e mira dhe e keqja, me dimensione tokësore dhe qiellore.

Atë Zef Pllumbi sjell ndoshta një për qind të asaj  çka ka pësuar dhe vuajtur Kisha Katolike në Shqipëri, kleri, populli, me thesare të mrekullueshme dhe të patejkalueshme dhe të amshuara.  “Kapitali” i Kishës dhe Popullit Shqiptar është pësimi, mundimi, përndjekja, robërimi, si nga të huajit, ashtu edhe nga njerëzit tanë.

Qortimi  dhe  i madh nga gjithë kjo është: Mos të humbet kujtesa, “Memoria non peridur”, me këtë, kuptohet, historia, njeriu dhe njerëzimi,  sepse tash çdo gjë së shpejti po harrohet, anësohet,  shvlerësohet,  trillohet, sipas “shijeve” të kohës dhe të hapësirave. Mendohet që vitet e errëta tashmë i përkasin të kaluarës dhe duhet sa më shpejtë të harrohen dhe tejkalohen, sepse ato  mund ta errësojnë mendjen dhe shqetësojnë apo prishin zemrën, “qetësinë”, mos të them komoditetin e njeriun të kohës sonë.

Kështu ideologjia e minimizon të keqen, për ta relativizuar me kinse disa njerëz të “krisur”, duke barazuar të vërtetën me rrena, të drejtën me padrejtësi, jetën me vdekje, dashurinë me urrejtje, totalitarizmin dhe diktaturën me liri dhe demokraci.

Në shkrimet dhe dëshmitë e atë Zef Pllumbit spikasin vlerat dhe virtytet e mirëfillta: feja e krishterë, fuqia e Zotit, me këtë edhe e besimtarëve, sidomos klerit katolik, Fratit, siç janë: qëndresa, dinjiteti, pathyeshmëria, pavdekësia, besnikëria me çdo vend dhe rrethanë, fuqia e faljes, jetës, dashurisë deri edhe për armiq, që tejkalon çdo logjikë njerëzore, hap horizonte të kulturës së Jetës dhe të Dashurisë, për t’iu kundërvu kulturës së vdekjes dhe të urrejtjes, që edhe sot është aq e pranishme dhe e dëmshme në botën e sotme “moderne”.

Shën Nëna jonë Tereze i ka mishëruar, zbatuar dhe dëshmuar këto vlera në mbarë botën, duke u bërë dhe mbetur Nëna e Jetës dhe Dashurisë. Të lumët 38 Martirët Shqiptarë në këtë këndvështrim dalin dhe mbesin heronj, ngadhënjyes, shenja të gjalla dhe të dukshme për ta kujtuar dhe mos i harruar të këqijat, por edhe më tepër për ta ndjekur të mirën, të drejtën, të vërtetën, dashurinë.

Do të thoshte atë Zef  Pllumbi kështu: së paku le të dihet një pjesë e vogël së çfarë ishte komunizmi dhe ateizmi shqiptar. Ai thotë: “Unë i kam përshkruar disa prej tyre, me emër… Nuk ishin njerëz, por kishin vetëm pamje njerëzore. Përgjithësisht ishin njerëz të këqi… O Zot, çfarë mëkati ka bërë ky popull që të meritoj kaq shumë vuajtje…”.

Nuk ka histori pa dëshmi, shkrime, shënime, dokumente. Atë Zef Pllumbi, së bashku me kardinal Mikel Koliqin dhe kardinali e tashëm Ernest Simonin, janë tre “të mbijetuarit” e paharrueshëm, që e kanë kuptuar dhe zbatuar këtë të vërtetë.

Nëse për ne është vështirë shënimet dhe shkrimet e tilla t’i dëgjojmë dhe lexojmë, ta mendojmë pak sa më vështirë dhe e tmerrshme është t’i përjetojmë në lëkurën dhe jetën tonë.

Dua ta përkujtoj vlerësimin e Atë Zef Pllumbit për Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, që ndër të tjera thotë: “Një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta më i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na vlerësohemi, simbas tjerëve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar. Ai u përpoq me e spjegue shkrimtarin e  madh kosovar   Pjetër Bogdanin, ndërsa Pjetër Bogdani zotëroi shpirtin e Ibrahim Rugovës… Ai pati vizionin e themeluesve të Evropës së bashkuese. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet, Kosovën, por pa i shkaktue vuejte as gjak kurrkujt, prandaj edhe kje thirrë “Gandi kosovar”… Ky trim nuk e çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, ma i urti i të gjithëve… Model Pati Gjon Palin e II dhe Nënën Tereze”. ( Intervista e Majlidnda Bregasit, RTK, Shkodër, 16. 03. 2013).

Ja edhe një përshkrim i përmallshëm dhe i bukur për  largimin e Nënës Tereze nga Shqipëria,  pas vizitës  së saj: “Kur hipi në avion më përshëndeti me dorë nga dritarja. Më vinte me kja, se më dukej sikurse po shkëputet prej tokës sonë të dashtun pjesa ma e mirë, ma e dijtun e ma e shenjtë e kombit, për t’i  lanë këtu vetëm ata qi dijnë me shkatërrue” (Hylli i Dritës, 5-6, 1997).

Megjithatë prej Shqipërisë, popullit Shqiptar, nuk është larguar kurrë Zoti, Kisha katolike,  shpirtërisht as Nëna Tereze. Ajo në ditë e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979),  para shumë gazetarëve dhe opinionit botëror tha: “Unë gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që Pagja e tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M Teresa Bojaxhiu”.

(Fjalim i mbajtur me rastin e ekspozitës në Biblioteka Kombëtare “Pjetër  Bogdani”, Prishtinë, 24 nëntor 2017.)                                     

Shpërndaje

Comments are closed.

« »