Qiriu nga Varri i Nënë Terezës në Kalkuta nesër do të ndizet në Katedralen e Prishtinës

Nov 25 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, gjatë shtegtimit të tij tek varri i Nënë Terezës në Kalkuta, mori me vete një Qiri simbol për ta sjell në Kosovë, të cilin do ta ndezim nesër gjatë meshës së orës 11:00 në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Ky qiri ishte ndezur nga ipeshkvi tek varri i Nënë Terezës. Në Meshën solemne, kremtuar nga Papa Françesku, të dielën e kaluar, me rastin e Ditës së parë kushtuar të varfërve, ky Qiri u bart gjatë procesionit të dhuratave eukaristike dhe përhapi Dritën, shenjë e Dashurisë së Zotit për më të varfrit ndër varfër dhe për të gjithë ata që qenë rreth sofrës Eukaristike.

Me flakën e këtij qiriu, nesër ipeshkvi do të ndezë qiriun që Katedralja ka vendosur ta quaj Qiriu i Nënë Terezës te altari i relikes së gjakut të Nënë Terezës, i cili do të jetë gjithnjë i ndezur për të dhënë flakën e dashurisë së Nënës.

Gjithashtu, nga nesër secilit besimtarë/qytetarë do t’i jepet mundësia të porositë Qiriun e Nënë Terezës për t’u vendosur te Altari i Relikës për njete të tija personale, me anë të cilit njetet e besimtarëve bashkohen me lutjet e bashkësisë në Shenjtërore./drita.info

Foto në ballinë: Qiriu në mesin e dhuratave eukaristike në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, më 19 nëntor 2017.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »