Të kemi pjesë në “të tashmen” e përjetshme të Hyjit

Nov 25 • Meditimi i ditës

25 nëntor 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Mak 6,1-13; Ps 9,2-4.6.16.19; Lk 20,27-40)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.

Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e përjetoj/ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse vetëm diçka prej këtyre ekziston në mua,

a mund të provojë t`i hedh tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 20, 27-40

 

27 Pastaj iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje:

28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatët nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatët e patën grua?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. 36

Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.

37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”

39 Atëherë disa skribë u përzinë në bisedë e thanë:

“Mësues, mirë the!”

40 S’patën më guxim të rragaten me të për asgjë.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi u përball me një pyetje mashtruese, të ndërlikuar. Saducenjtë e përbuznin idenë e ngjalljes prej së vdekurish. Jezusi i shkoklavit nga pështjellimi njerëzor ku teologjia e tyre lidhur me vizionin kozmik i kishte ngujuar. “Ai nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”
  • Ne jemi pjesë e universit që tejkalon kohën dhe hapësirën dhe pranon jo vetëm Abrahamin, Izakun dhe Jakobin, por edhe prindërit e mi dhe të gjithë paraardhësit e mi nga krijimi i botës. Në ngjallje, ne do të kemi pjesë në “të tashmen” e përjetshme të Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhe gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »