Dashuria e vërtetë është praktike

Nov 26 • Meditimi i ditës

26 nëntor 2017 – E diela 34-të gjatë vitit (A), Krishti Mbret, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 34,11-12.15-17; Ps 23,1-3.5-6; 1Kor 15,20-26.28; Mt 25,31-46)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

  

Mt 25,31-46

 

31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                     Çdo grup shkon te vendi që e ka zgjedhur. Ata jetët e të cilëve kanë qenë të orientuara drejt dashurisë dhe mëshirës i afrohen dashurisë dhe mëshirës së Hyjit. Ata që i kanë përjashtuar njerëzit në nevojë nga jeta e vet e kanë përjashtuar veten nga Mbretëria e Hyjit ku ka vetëm pranimdhe dashuri.

·                     Mbreti i përmend rastet që lajmërohen në çdo kohë dhe në të gjitha vendet: njerëz të uritur dhe të etur, emigrantë, refugjatë dhe njerëz parroba, të sëmurë dhe të burgosur. Në këtë skenë, nuk përdoren fjalë të zbukuruara mbi drejtësinë dhe solidaritetin, por flitet për ushqim, veshmbathje, pije, mbrojtje nga fatkeqësitë. Nuk flitet për ”dashurinë” por për vepra specifike, konkrete, të tilla si dhënia, vizita, përkujdesja. Këtu s`është e rëndësishme `dashuria teorike`, por dhembshuria që e ndihmon konkretisht personin në nevojë.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllje

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »