Sot u ndez Qiriu i Nënë Terezës në Katedralen e Prishtinës

Nov 26 • Kisha në Kosovë

Sot, në meshën e të dielës në ora 11:00, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët në Prishtinë, në prani të qindra besimtarëve, fëmijëve, ndezi QIRIUN E NËNË TEREZËS tek altari i Relikës së Gjakut të Nënë Terezës, me qiriun të sjellë nga Kalkuta.

Imzot Dodë Gjergji, gjatë shtegtimit të tij tek varri i Nënë Terezës në Kalkuta, mori me vete një Qiri simbol për ta sjell në Kosovë. Ky qiri ishte ndezur nga ipeshkvi tek varri i Nënë Terezës. Në Meshën solemne, kremtuar nga Papa Françesku, të dielën e kaluar, me rastin e Ditës së parë kushtuar të varfërve, ky Qiri u bart gjatë procesionit të dhuratave eukaristike dhe përhapi Dritën, shenjë e Dashurisë së Zotit për më të varfrit ndër varfër dhe për të gjithë ata që qenë rreth sofrës Eukaristike.

Qiriu i ndezur nga Kalkuta u bartë në procesion në Katedrale nga famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, dhe u vendos në altarin kryesor, për t’u bartur pas homelisë nga ipeshkvi dhe meshtarët në procesion, të përbërë nga ministrantë e fëmijë të Prishtinës, tek Altari i Relikës, me flakën e të cilit u ndez Qiriun e Nënë Terezës, i cili do të jetë gjithnjë i ndezur për të dhënë flakën e dashurisë së Nënës.

Nga sot secili besimtarë/qytetarë mund të porositë Qiriun e Nënë Terezës për t’u vendosur te Altari i Relikës për njete të tija personale, me anë të cilit njetet e besimtarëve bashkohen me lutjet e bashkësisë në Shenjtërore.

Me kontributin e këtij qiriu do të mirëmbahet Mensa e të Varfërve, që gjendet në objektet e kishës në Ulpianë,  e cila ka 11 vjet që ndan ushqim të nxehtë për të varfër./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »