A mund t`i lejoj Jezusit të më ngushëllojë?

Nov 28 • Meditimi i ditës

 28 nëntor 2017 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 2,31-45; Ps: Dan 3,57-61; Lk 21,5-11)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
Jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
Në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
Dhe që të jem thjesht me Zotin,
Këtu dhe tani.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim e ndafsha gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 21, 5-11

 

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

7 E pyetën:

“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Tempulli ishte jo vetëm qendra e qytetërimit hebraik, por vendi ku Hyji banonte në mesin e tyre. Jezusi i njoftoi se të gjitha do të shkatërrohen.
  • A ekziston në ndonjë mënyrë ndonjë “qendër e sigurt” – personale apo kombëtare – që kërcënon të rrënohet? Rënia e “Kullave Binjake” në Nju Jork është një simbol i fuqishëmpër shumë prej nesh.
  • Fjala kyçe e Jezusit në gjithë këtë është “Mos u frikësoni”. A mund t`i lejoj Jezusit, Ngushëlluesit, që të më flasë pa marrë para sysh se ku ndodhem?

 

Bashkëbisedimi

“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të vigjilosh të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »