Këngë solo të autorëve tanë kushtuar Shën Nënë Terezës

Dec 1 • Kulturë

Nga Dr. Kushtrim Jakupi

 

Figura e Shën Nënës Terezë zë vend të konsiderueshëm në krijimtarinë muzikore të kompozitorëve tanë. Ata i kanë kushtuar të madhërishmes tonë, figurës universale Shën Nënës Terezë – Gonxhe Kolë Bojaxhiut një numër të konsiderueshëm të veprave (rreth 40 vepra muzikore) me përbërje dhe gjini të ndryshmet. Janë kompozuar, duke filluar nga veprat korale për kore pionierësh, për kor të të rriturve, këngë  solo me shoqërim të pianos e deri te format e mëdha vokalo-instrumentale.

Pra, përveç krijuesve letrarë, të artit pamor e kinematografik, edhe artistët muzikor kanë dhënë vazhdimisht kontributin e tyre me kompozime popullore, të lehta apo artistike-serioze. Krijuesit inspirohen në momente të caktuara nga ngjarjet apo figurat madhore që kanë vlerë kulturore apo historike. Kështu, figura më e ndritshme e shekullit të kaluar por edhe të këtij shekulli pa dyshim është Nëna e jonë e Madhe, Nëna Tereze. Mirësia e saj nuk mjafton të përshkruhen vetëm me fjalë por edhe me vepra muzikore që vinin si thirrje shpirtërore ndaj misionit të saj të shenjtë. Shumë vepra janë të kompozuara edhe pas përmbylljes së jetës së saj shenjtërore, në nhtator të vitit 1997, por edhe më pas duke kulmuar me paraqitjen e 3 shtatorit të vitit 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë me veprën “Valsi Hyjnor” e kompozuar nga Genc Tukiçi, bazuar në një motiv nga vepra për kor e Lorenc Antonit dhe me tekst të vet Nënës Terezë.

Vargu i kompozitorëve të cilët shkruan për Nënën e shenjtë është i gjatë, nga: Lorenc Antoni, Bahri Mulliqi, Mendi Menxhiqi, Gjon Gjevelekaj, Rauf Dhomi, Esat Rizvanolli, Zeqirja Ballata, V. Beqiri, A. Koci, etj. Në vazhdën e kësaj, këngët solo (romancat) me shoqërim të pianos paraqesin një pjesë të veçant të krijimtarisë muzikore të autorëve tanë. Thjeshtësia formale dhe mundësia e jetësimit të tyre interpretues, kanë nxitë autorët tanë të shkruajn romanca të cilat tanimë janë pjesë e repertoarit muzikor solistik.

Lorenc Antoni ishte i pari i cili kompozoi për Nënën Terezë dhe këtu është i njohur kompozimi “Lamtumirë” i shkruar për kor dhe i bazuar në tekstin e vet të shenjtës Gongje, me rastin e nisjes për udhëtim në Indi (09.12.1928). Në këtë kohë i frymëzuar, Lorenci shkroi edhe veprën “Nëna e përvujtnisë” për solo me përcjellje të pianos. Edhe pse me suaza të romantizmit kjo vepër me thjeshtësinë e saj dhe me balansin e vendosur në mes solistit dhe pianos i jep zbërthimin objektiv të domethënies tekstuale:

Nëna jonë Terezë                                Nëna e jonë Terezë

Nëna e botës mbarë                            Gjithmonë zemër butë

Shëron të sëmurë                                I ngjan Jezu Krishtit

Gurin e kthen n’arë.                            Me zemër të përvujtë.

 

Edhe pse është kompozimi i parë i Lorencit për solo dhe piano, vepra arrin të reflektoj ndjenjat të cilat i mbartë teksti. Me një korrektësi dhe qëndrueshmëri tingullore, pa përjshtime të caktuara harmonike formale vepra arrin të përqoj porosinë universale, dhe njëherit duke ruajtur vlera artistike jo të jashtëzakonshme por reale për kohën dhe rrethanat kur është shkruar.

Akil Koci në veprën e tij “Edhe unë jam biri yt”. Me tekst të fuqishëm nga Don Ndue Gjergji, i bën thirrje dramatike Nënës Terezë“…edhe un jam pikë e gjakut dhe gjirit tënd që gjakon e hapur…” ky dramticitet reflektohet në shoqërimin e herë pas hershëm të melodisë me septakorde kryesisht të zvogëluara, të cilat paraqiten me vlera të zgjatura dhe krijojnë atmosferë të tendosur, sidomos në përfundim të veprës kur thirrjet në recitativ vijnë e shtohen. Pjesa tjetër e partit pianistik vazhdon me lëvizje konstante të tëtësheve duke pasqyruar atmosferën e këndimit linear kishtar sikurse edhe lëvizjeve të kundërta të vijave melodike të cilat krijojnë një kontrapunkt të vertërë por të pabazuar në shkallë muzikore të qëndrueshme (fig.1), duke lëvizur nëpër variantet e molit (c mol) apo edhe kalime të herëpashershme në dur (C-dur).

Ambitusi i zgjeruar i partit pianistik shpreh edhe më shumë dramaticitetin dhe sikur pasqyron thirrjen e popullit shqiptar drejtuar Nënës së saj për pozitën e vështirë në të cilën atëbotë gjendej.    

Esat Rizvanolli muzikën e tij nuk e konsideron si tingëllimë, por si diçka hyjnore. Kështu, në veprat e tija mund të hasim krijime mjaft delikate, intime, dhe me përmbajtje të ndryshme të krijuar me dashuri dhe pasion. Vepra e tij “Nëna Terezë bijë shqiptare” e shkruar për mezosopran dhe piano, me tekst të Gani Spahiut përkon me stilin e tij delikat.

Vija melodike e pasur me kromatizëm i cili e bën në momente të vështirë për të u kënduar, jep nuancat e melosit tonë me kapërcime të tercave të zmadhuara apo variante të shkallëve kromatike, me çka kompozitori tenton të paraqes realitetin tonë përkundër universales dhe bashkëkohores që paraqitet në partin e pianos, faktura e të cilës kontraston me ate të solistit me një paqëndrueshmëri të theksuar tonale. (fig.2).

Kjo krijon atmosferë interesante dhe tendosëse përkundër tekstit i cili për bazë përmbajtësore ka humanizmin e Nënës Terezë dhe humanizmin e popullit tonë shumë herë të dëshmuar. Në këtë mënyrë kompozitori Esat Rizvanolli edhe me këtë vepër arrin origjinalitetin e tij duke ndjerë krijimet jo vetëm si lëndë muzikore, por edhe si dukuri humane, dhe psikologjike.  Edhe kompozitori Rauf Dhomi me veprën “Pa lamtumirë” paraqet në mënyrë të shkëlqyeshme figurën e Nënës shqiptare- sinonim i së cilës është Nëna Terezë. Krijimtaria e kompozitorit bazohet në frymën e tradicionales dhe romantikes, gjithnjë duke u mbështet në muzikën popullore shqiptare. Gjuha muzikore orientohet kah “neoklasicizmi shqiptar” me premisa të folklorit tonë, por që nuk anon në një masë kah orientimet stilistike nacional-romantike. (fig.3)

Kënga ka formë e këngës A B A, në tonalitetin g-mol, sikurse edhe përmbajtje melodike e bazuar në melosin tonë me kombinime të shkallëve kromatike – me bazë orientale. Harmoni të pasur me septakorde dytësore si dhe alteracione të cilat rezultojnë akorde jashtëtonale. Këto i japin veprës atmosferë tradicionale dhe njëherit pasqyrimin e vërtetë të një nëne shqiptare. (fig.4)


Gjon Gjevelekaj i lindur në qytetin e Nënës Terezë, në Prizren, krijoi shumë vepra ku ndër to dallojmë edhe dy kompozime të dedikuara figurës së Nënës Terezë. “Rrezatime dashurie” (2010) për zë dhe piano me tekst të Engjëll Koliqit, ku rrezaton në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë dashurinë dhe shpresën për pozitiven. Vepra ka formë trepjesore a b c + coda. Pjesa e parë ka bazë tonale mol kurse pjesa e dytë b kontraston me tonalitetin omonim C-dur. Takti është 12/8 i ndarë në lëvizje të vazhdueshme të nga tri notave tetëshe. Kjo rezulton një stabilitet dhe pulsim të vazhdueshëm. Karakteristike është paraqitja e akordeve të paplota (me kuartë të shtuar) apo rrotullimeve të septakordeve dhe nonakordeve të cilat janë të vazhdueshme në partin përcjellës pianistik përkundër vijës melodike e cila është shumë melodioze dhe e thjeshtë në shtrirjen e saj. (fig.5)

Vepra nuk mund të paraqet vlerë të madhe artistike, por dedikimi i saj, shenjëtores sonë shqiptare e bën të veçantë.

Edhe vepra tjetër e Gjon Gjevelekajt “Lulja e truallit tonë” me bashkëautor Mark Krasniqin, e kompozuar në vitin 1990 ka ngjshmëri në stil dhe në përmbajtje melodike dhe harmonike me këngën “Rrezatime dashurie”. Në fillim ka një hyrje pianistike të gjatë (jo të zakonshme), me formë trepjesore a b c. Melodia është e këndueshme dhe e bazuar në g-molin harmonik. Tradicionalja manifestohet me ritmin 7/8 i cili i jep dinamizëm dhe njëherit ngjyrë më të hareshme, gjithnjë në raport me tekstin i cili përshkruan viset shqiptare, malet e Sharrit, lumin Vardar, etj. (fig.6)

Thjeshtësia e këngës në një mënyrë pasqyron thjeshtësinë shpirtërore të Nënës Terezë dhe njëherit bukurinë të cilën e bartë ajo duke reflektuar pozitivitetin, humanizmin dhe shpresën për paqe dhe jetë më të mirë.

Edhe kompozitori Zeqirja Balllata i kushtoi vëmendje të posaçme figurës së Nënës së shenjtë Terezë. Ai përveç kompozimeve tjera të kushtuara Nënës Terezë, literaturës solistike me përcjellje të pianos i dhuroi dy vepra. E para, “Nënës Terezë” (1990) për zë dhe piano e bazuar në tekstin e Liri Loshit:

Një copë bukë në dorë                                    Bukën e kësaj toke

Mori botën në sy                                             E ndanë në njëmijë pjesë

Kjo tokë e ka lindur                                        Siç ndan rrezet dielli

Si mua si ty                                                      Mbi lulet plot vesë …

Gjuha shprehëse moderne e kompozitorit Ballata dominon edhe në këtë vepër. Mundësia e shprehjes së lirë tekstuale ritmike është bërë e mundur me mungesën e ndarjes taktore, dhe vije si rezultat i kompleksitetit të figurave ritmike, kombinatorikave të triolave dhe sekstolave. Materiali melodik paraqitet i ngarkuar me kapërcime në kuarta dhe septima (të mëdha dhe të vogla) si dhe kapërcime tjera të papërshtatshme për solistin. Kurse parti i pianos plotëson vijën melodike me lëvizje të sinkopuara apo edhe shpesh të mbajtura gjatë në formë të orgelpunktit, si dhe me figura të sekstolave dhe septolave. (fig.7)

Gjithashtu paraqiten edhe grupime të tingujve në formë të klasterëve dhe arpegjove. Krakteristikë tjetër e mjeteve shprehëse të kompozitorit janë edhe picikatot në tela të pianos të cilat zgjojnë edhe më tej botëkuptimin filozofik për veprën në fjalë dhe figurën e të shenjtës Nënë Terezë. Dinamizmi i reflektuar me kontraste të mëdha nga ppp në ff zgjon edhe më shumë dramaticitetin e veprës në të njejtën kohë duke paraqitë motivin e lartësisë humane si dhe mendimin filozofik që transmeton figura e Nënës Terezë, vuajtjet, përpjekjet, dëshprimin, vullnetin, etj. të cilat her ngriten e her biejn duke mos u ndalë asnjëherë.

Edhe vepra tjetër kushtuar Nënës Terezë, “Hapna sytë tonë” përdorë gjuhën shprehëse moderne, por tani paraqitet edhe më komplekse sa i përket përmbajtjes. Është e kompozuar për dy solistë- zë femre dhe zë mashkulli. Kjo e bën që vepra të paraqet një hap më tutje në krijimtarinë për solist dhe piano dedikuar Nënës Terezë. Si e tillë në vehtë ngërthen elemente të veçanta, si, thyerjet e vazhdueshme të taktit nga 5/4 në 4/4 dhe 3/4, pastaj kapërcime “të zakonshme” në intervale të pazakonshme, sidomos të septimës, sekstës, kuartës dhe kuintës së zvogluar, pastaj edhe intervaleve tjera të papërshtatshme për solistin. Gjithashtu vend të rëndësishëm zënë edhe figurat ritmike të kuartolave shpesh të kombinuara me triola si dhe glisando e cila kalon në mbi një oktavë. Parti i pianos është më aktiv dhe kryesisht bazohet në klasterë të cilët luajnë rolin e efektve të cilat krijojnë një ambient më dramatik dhe psikologjik. (fig.8)

Muzika sakrale e kompozitorit Ballata edhe pse e reduktuar për nga dimensionet formale, në strukturat të saja dallohen vlerat e mëdha të të kompozuarit, me pasion dhe shprehje komplekse për figurën e Nënës Terezë.

Krijimtaria për zë dhe piano ka vazhduar dhe është trajtuar me një temp të njejtë edhe nga plejada e kompozitorëve të gjeneratës së trajtuar si e mesme. Në këtë drejtim kontribut të veçantë kanë dhënë edhe kompozitorët, Bahri Mulliqi me një vepër për zë dhe piano “Fishekzjarre mirësie” të kompozuar më 1990, etapë kur edhe kompozitori ishte në kulmin e aktivitetit të tij para se të migronte në SHBA, pastaj edhe vepra e kompozitorit të njohur kosovar Valton Beqiri “Lamtumirë” e nxitur nga teksti dhe porosia të cilën e kishte lënë Nëna Terezë para udhëtimit në Indi, si dhe duke kulmuar me dy vepra tjera të kompozitorit Mendi Mengjiqi. Sikurse edhe veprat tjera të cilat kanë tendencë për përshtatje me kërkesat e muzikës bashkëkohore, kjo vërehet së pari tek kënga solo me përcjellje të pianos “Malli për Nënën” e kompozuar më 1990,e posaçërisht te kënga tjetër “Pax” e kompozuar më 1999, por që është e dedikuar për solist kor dhe orkestër.

Nëse bëjmë një përmbledhje të asaj që u tha më lartë, vijmë në përfundim se mjaft prej këtyre këngëve solo me shoqërim të pianos, çoftë nga natyra, ndjeshmëria, mënyra e shtrirjes dhe trajtimit të tekstit, çoftë nga shtrirja horizontale melo-ritmike apo vertikale harmonike, ngërthejnë në vete elemente karakteristike të autorëve të caktuar. Duke filluar nga kompozitorët klasik dhe duke ardhë kah ata modern, gjuha e të shprehurit mund të ndyshoj por porosia dhe qëllimi i veprave mbetet i përbashkët, shënjimi, falënderimi dhe krenaria që mbartin këto vepra për figurën e Nënës Terezë, personalitetin e saj dhe veprën e shenjtë të cilën ka bë ajo. Historia vazhdon, me këtë edhe veprimtaria kushtuar Nënës Terezë.  

(Ligjëratë e mbajtur në Tryezën muzikologjike të ASHAK, seksioni i arteve, 30 nëntor 2017)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »