Koha e Ardhjes: ecje dhe takim me të Vërtetën

Dec 3 • Editorial

Nga Don Fatmir KOLIQI

 

Këtë të diele (3 dhjetor) Kisha katolike e ka filluar një kohë të re kishtare që quhet Koha e Ardhjes (lat. Adventus). Është periudhë liturgjike katërjavore që i paraprin festës së Krishtlindjes, të cilën tradita kishtare e ka ushqyer nga shekujt e hershëm. Tradita zë një vend të rëndësishëm në jetën e Kishës, është një mishërim i përhershëm i fesë së besimtarëve në Jezusin. Dashuria dhe krijimtaria vepruese e kishës e ka pasuruar këtë traditë me zakone të bukura, gjithnjë si rezultat i shprehjes së përkatësisë, përshpirtërisë dhe gëzimit ungjillor.

Koha e Ardhjes është njëra ndër këto shfaqje dashurie e krijimtarie të Kishës universale. Simbolet që i përdor Kisha gjatë kësaj kohe, janë të dukshme, sa që gati edhe jo të krishterët e kuptojnë se po fillon koha e përgatitjes për Krishtlindje, pasi të krishterët fillojnë të dekorojnë kishat, shtëpitë, sheshet e fshatrave dhe qyteteve. Janë shenja të një nisjeje të re, të një ecjeje festive. Në fakt, thua se është e kundërta e asaj që stina e vjeshtës zakonisht karakterizohet: me njëlloj ‘zhveshje’ të natyrës, sikur bien ‘fletët nga trungu i qenies’, një venitje e gjelbërimit, fillimi i stinës së ftoftë, një sezon i ri në ciklin vjetor.

 

Jeta si kërkim dhe pritje –  një modus vivendi i krishterë

Koha e Ardhjes është kohë e pritjes/ardhjes së Zotit. Është pohimi që e gjejmë gati se në të gjitha reflektimet e meshtarëve, teologëve, katekistëve e laikëve më aktivë në jetën e kishës. Ky pohim përmban të vërtetën. Megjithatë, i njëjti pohim mund të ngjallë një pyetje: Pse presim atë që dikur, dymijë vjet më parë, kishte lindur në Palestinën e sotme? Në shikim të parë, duket sikur të ishte një paradoks në vetvete. Pse e kërkojmë një Zot që tani ‘e kemi’, një Zot që ka ardhur para shekujve, ‘i besojmë’, e lavdërojmë dhe i shprehim respekt e adhurim?!

Nuk dua të hyj në reflektim teologjik dhe doktrinar rreth Ardhjes së Dytë të Jezusit në lavdi; mbasi Ardhja, si kohë liturgjike, përfshihet si në doktrinë ashtu edhe në pastoral. Ajo që më intereson më tepër këtu është Ardhja e Parë, ajo në Beltlehemin e ftoftë, të braktisur dhe ‘të padukshëm’, pasi nuk ishte i shkëlqyer si pallatet romake të Herodit, edhe pse kishte një shkëlqim shumë më të madh e të përhershëm. Më intereson pikërisht ky tipar, pasi edhe sot e gjithë ditën, në mbarë botën, rimishërohen ato takime betlehmiane, ku Zoti vjen për ta ngrohur planetin Tokë, për ta takuar çdo njeri e për ta përqafuar ngrohtësisht me bekim hyjnor.

Kisha, në një mënyrë, në kohën e Ardhjes e ri-bën ecjen biblike drejt Betlehemit– ecjen dhe realizimin e Besëlidhjes së etërve – për ta bërë të prekshëm vendtakimin me Jezusin. Ajo – tani si Besëlidhje e Re e përhershme – e vetëdijeson njeriun për takimin e përhershëm, sepse “askush nuk e posedon Zotin deri në atë masë, që nuk do të duhej ta pritnim. E megjithatë, s’mund ta presë Zotin ai që më parë të mos e dinte se Zoti e ka pritur atë tashmë një kohë të gjatë.” (D. Bonhoeffer).

Ky akt ribërjeje, e përshkon gjithë Kishën pa dallim; i përshkon ata të krishterë që dita-ditës e ribëjnë fenë e këtij takimi dhe të kësaj pranie – janë bij e bija të kushtuara dhe dëshirojnë gjithnjë e më shumë, më thellë, ta njohin e ta duan Zotin; i përshkon ata të krishterë që performojnë të qenët vetëm si emër, por pa një takim të vërtetë (Shën Injaci i Antiokisë). Por, gjithashtu, ky akt kishar i kohës së Ardhjes, merr një domethënie të rëndësishme për të gjithë ata njerëz vullnetmirë, që gjenden në shtegtim drejt këtij takimi, shtegtarë me ndërgjegje, me zemër dhe me mendje – janë ata të krishterë anonimë (K. Rahner), të cilët, nga frika dhe nga popullizmi politikisht korrekt (politically correct) i bashkëqyetarëve të tyre (jo) të krishterë – mospranues të të drejtave të njeriut për të gëzuar kërkimin e lumturisë – mbesin nën hijen e një mentaliteti stigmatizues.

Kush nuk dëshiron ta kuptojë natyrën e kësaj Ardhjeje – si pritje, shtegtim dhe takim – nuk ka kuptuar asgjë prej asaj që Beltlehemi dhe Kalvari kanë skalitur në historinë shpirtërore të njerëzimit, pjesë e të cilës jemi edhe ne.

Koha e ardhjes është Rrugë e trasuar në historinë e njeriut shtegtar, i cili s’pran duke ecur, me shpresën se do ta takojë Zotin e pranishëm në histori, ta takojë Atë që ka bërë rrugën e njeriut, i përvuajtur dhe plot pasion për jetën e këtushme (imanente) dhe përgatitës i sigurt përjetën e matanshme (transcendente).

Koha e Ardhjes është objektiv që duhet (ri)bërë me njeriun shtegtar, drejt takimit me të vërtetën.

Koha e Ardhjes gjithnjë e më shumë bëhet sot koha e kërkimit të Zotit; në vendin ku Zoti keqkuptohet, keqpërdoret, shfrytëzohet… në vendin tonë, ku shpesh Zoti ‘vizatohet’ si një demiurg a shpërfillës i planetit tokë, tallës me qenien njeri; në vendin ku akoma Zoti shkruhet me shkronja të vogla; në vendin ku gjarpëroret një utopi materialiste prodhuese e korrupsionit, një konkurrencë e pashpirt për pushtet publik. Në një vend ku të folurit e të shkruarit publik (e jo vetëm) i ngulfat ëndrrat e fisme të mijëra qytetarëve të njomë të shoqërisë.

Koha e Ardhjes është një sfidë për secilin, e, në mënyrë të veçantë, për klisheistët e përmotshëm dhe nostalgjikët e së kaluarës (e çfarë të kaluare!), që, në fakt, nuk e kanë përjetuar asnjëherë gëzimin e Betlehemit dhe shpëtimin falas të Kalvarit. Janë ata që kanë frikë nga Dashuria e ngrohtë e Zotit që mund të shndërrojë njeriun rrënjësisht; s’pajtohen me gjakimin e njëmendtë antropologjik, i cili ngërthen në vetvete përqafimin e lirshëm dhe publik të kësaj dashurie. Nga këtu burojnë opinionet kundër Kohës dhe të qenët në mision për ta ri-bërë praninë dhe takimin e Betlehemit në botën tonë bashkëkohore, sepse na qenka pakorrektësi politikisht jokorrekte.

Ai që e kundërshton kërkimin e njeriut drejt të vërtetës dhe e refuzon takimin si stil jete, nuk mund të jetë njeri i Ardhjes. E jo vetëm aq: nuk mund të jetë as njeri i Krisht-lindjes.

Jeta (e të krishterit) pa Kohën e Ardhjes, pa ecje e pa takim, pa mister e pa eskaton, është një varfëri e padurueshme që sjell tkurrjen e horizonteve, raporte të ngurta e të panjerëzishme. Krejt kjo do të shkaktojë pastaj, si pasojë, gjenerimin e pakënaqësisë së përhershme (modus vivendi) ndaj gjithçkaje profetike, një ecje kalamendëse, dehëse dhe të pashpresë, në drejtim të një sipërfaqësie që duket të jetë “vesi më i madhe i epokës sonë”(R. Panikkar).

 

Ardhje e përhershme drejt Krisht-lindjes definitive

Ne, Kisha – të krishterët, gjendemi në një Ardhje të përhershme drejt një Krisht-lindje definitive. Jemi gjithmonë personifikim i Pararendësit, pasi natyrshëm bartim misionin për të qenë (Vox) kumbues dhe Tregues të Pranisë, që e shpall të renë e të vërtetën, pa u treguar të marrshëm, por me gëzim të shpalljes dhe me fisnikëri të përkatësisë.

Është kundër shpirtit të Ardhjes dhe të Krishtlindjes, kundër Dashurisë hyjnore dhuruese të Jezusit, nëse të krishterët do të përkrahin klisheizma e popullizma politikisht korrekte. Si njerëz të Ardhjes dhe të Krishtlindjes, me shpirtin e takimit që shëron dhe davarit frikësimet, le të bëhemi dishepuj të të resë, të shijes së Betlehemit, të ngjyrave shpresëdhënëse e të një vizioni që i tejkalon getoizmat mondane. S’duhet t’ia lejojmë vetes përjetimin e një déjà-vu për vegshat e Egjiptit (khs. Dal 16, 2-3, murmuritja e izraelitëve në shkretëtirë kundër Moisiut), që e molisin rrugëtimin tonë drejt Tokës së Premtuar, që Kisha Nënë – Prijësja e jonë –Besëlidhja e Re, e themeluar prej Krishtit, na prin e na ushqen.

Koha e Ardhjes është ecje e përbrendshme dhe shfaqje e dukshme e një përmase të re ripërtëritëse, që na çon në përqafimin hyjnor me Zotin e Betlehemit.

Për t’iu përgjigjur kësaj grishjeje të përshpirtshme, është rast i volitshëm që të nisemi në këtë rrugë personalisht, por edhe t’i ndihmojmë të tjerët për ta gjetur shpellën e ngrohtë të Betlehemit – vendlindjen e Zotit. Ai të pret të të përqafojë fort e të të pëshpëritë: sa shumë të kam pritur që të them ty Të Dua e ta dhuroj Përkëdheljen time të hyjnueshme.

Mirë u pafshim më 25 dhjetor te Betlehemi!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »