Përgatitje për një vizion gëzimi

Dec 3 • Meditimi i ditës

 3 dhjetor 2017 – E diela 1-rë e ARDHJES, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 63,16b-17b; 64,2b-7; Ps 80,2ac.3b.15-16.18-19; 1Kor 1,3-9: Mk 13,33-37)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mk 13,33-73

 

33 Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. 34 Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la nën kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrinte zgjuar. 35 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes 36 që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.
37 Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi flet për ardhjen e tij të dytë në fund të kohës. Por secili prej nesh, përpara kësaj, mund t`i gëzohet takimit me Zotin. Kjo do të thotë se duhet të jetojmë në atë mënyrë që mos të ketë rëndësi se kur ai do të vijë.
  • Jeta jonë bëhet një përgatitje për një vizion gëzimi.  

 

Bashkëbisedimi

Ç`ndodh në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje
dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »