Ta dëgjosh zemrën
4 dhjetor 2017 – E hënë, Shën Gjoni i Damaskut, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 2,1-5; Ps 122,1-9; Mt 8,5-11)
Prania e Hyjit
Para se të fillosh tërheqjen tënde shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.
Qetësohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,
I cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.
Liria
Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj avash
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Mt 8, 5-11
5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:
6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”
7 Jezusi i tha:
“Do të vij dhe do ta shëroj.”
8 Por centurioni iu përgjigj:
“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”
10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:
“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit.
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Centurioni ishte një oficer i ushtrisë perandorake romake, një njeri pushteti dhe pozite. Ai e luti për shërbim mësuesin e varfër, udhëtarin, duke e deklaruar veten të padenjë për ta pranuar Jezusin në shtëpinë e vet. Jezusi u habit, jo aq për besimin e këtij burri sa për faktin se dashuria ndaj shërbëtorit të vet e kishte nxitur që t`i hiqte të gjitha pengesat në lidhje me pozitën, racën dhe rangun ushtarak.
- O Zot, shumica e jetës sime është e përcaktuara nga dispozitat dhe pengesat sociale. Ma jep hirin që ta dëgjoj zemrën time dhe të arrij tek ata që mund t`u ndihmoj.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Përgatitje për një vizion gëzimi Përvoja kundrejt diturisë »