Përvoja kundrejt diturisë

Dec 5 • Meditimi i ditës

5 dhjetor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 11,1-10; Ps 72,1-2.7-8.12-13.17; Lk 10,21-24)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
Jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
Këtu dhe tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e marr dhe e pranoj këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
Pranon, shëron dhe ripërtërin
Mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10, 21-24

 

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!

Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22 Gjithçka më dorëzoi im Atë!

Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,

dhe kush është Ati, përveç Birit

dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht:

“Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Hyjit mund t`i afrohemi më parë me dashuri dhe përvujtëri, sesa me njohuri të madhe dhe përpjekje intelektuale. Etërit shpirtëror na flasin për “renë e së panjohurës” që ekziston në  mes teje dhe Zotit. Ata na këshillojnë që këtë re ta largojmë me shigjetën e mprehtë të dashurisë së përdëllyer.
  • Etërit shpirtërorë me përvojë na bëjnë thirrje që të shkojmë pas eksperiencës sesa diturisë. Për shkak të krenarisëpersonale njohuritë mund të të mashtrojnë. Njohuritë mund të të çojnë në mendjemadhësi, kurse dashuria e butë dhe e ndjeshme kurrë s`do të të mashtrojë – ajo të ndërton, të formon.
  • Me sy dhe dëgjim të brendshëm do të mund ta shohësh dhe dëgjosh Hyjin që është gjithmonë këtu, i pranishëm në jetën tënde dhe të fton në shoqëri/bashkim me të.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »