Përgatitni rrugën për Zotin që po vjen

Dec 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela II e Ardhjes (B)

 

Leximi i parë   Is 40, 1-5.9.11

Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri.  Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë.  Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar.  Hyji e bën ecjen drejt tokës së premtuar pa rreziqe dhe vështirësi të mëdha, duke i zbuluar popullit se Ai vjen për të jetuar me të.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.” Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshtë: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; ngrihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  85

Ref: Na e trego, o Zot, mëshirën tënde

———————————————–

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

———————————————–

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

———————————————–

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

———————————————–

 

Leximi i dytë   2 Pjt 3, 8-14

Të krishterët e parë për një gabim të parashikimit të së ardhmes pritnin menjë-herë ardhjen e Zotit.  Por Zoti, para se të kthehet, pret përfundimin e historisë njerëzore që ne nuk e njohim.  Për këtë Ai provokon dishepujt e tij të jetojnë konkre-tisht jetën e tyre në botë sikur Zoti po vjen tani.  Të krishterët janë ata që jetojnë çdo ditë në mënyrë aktive duke pritur ardhjen e Zotit.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Pjetrit apostull

Një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme. Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen. Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krizmë, elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.

Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtni, ju që e prisni dhe e shpejtoni ditën e ardhjes se Hyjit, në të cilën qiejtë do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. Ne veç, sipas premtimit të tij, presim qiellin e ri dhe tokën e re, ku banon drejtësia. Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe! Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija!  Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.

Aleluja

 

Ungjilli   Mk 1, 1-8

Ungjilltari Marku shpall Ungjillin si një “lajm të mirë” të përjetshëm, drejtuar një populli që pret realizimin e vetë shpresës.  Gjon Pagëzuesi i shpall popullit të Izraelit ardhjen e Mesisë: Ai është “zëri” që thërret në shkretëtirë, aty ku populli i Hyjit maturohet nëpërmjet vështirësive.  Ai denoncon gënjeshtrat dhe padrejtësitë e njerëzve, dhe shpall se ardhja e Hyjit kërkon pendesë dhe kthimin e zemrave.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit. Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet: “Qe, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje që do ta bëjë gati udhën tënde; është zëri i njërit që bërtet në shkreti: Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija”. Në shkreti u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan. Gjoni ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Në predikimet e veta thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në Kohën e Ardhjes jemi të ftuar të ripërtërijmë pritjen vigjilente të ardhjes së fundit të Krishtit, duke kultivuar gjeste shprese e vepra dashurie.

Profeti Isaia shpall shpresën e çlirimit dhe të ngushëllimit për Izraelin, popullin e mërguar. Në shkretëtirë, skenari i veprave të Hyjit, Gjon Pagëzuesi i fton të gjithë që të kthehen, përderisa në shkretëtirë ka me të vërtetë rëndësi thelbësorja, shkretëtira të heq të gjitha siguritë e tua, të vendos vetëm përballë teje e të tregon atë që ke brenda. Gjon Pagëzuesi duke qëndruar në shkretëtirë nuk do të jetë një njeri i kultit, por një profet. 

Kur Hyji ndërhyn në histori shmang vendet e shenjta e përfaqësuesit e vet zyrtarë. Në tempull gjenden liturgjitë e bukura, kënga e bukur, siguria, flitet për Hyjin e në emër të Hyjit, por nuk ekziston kthimi, nuk ndryshohet brenda. Por shkretëtira, përkundrazi, të thotë: “duhet të kthehesh e duhet të ndryshosh.  Përse fshihesh? Përse shmang të vërtetën?  Këtu shihet nëse e do Hyjin: nëse do, Hyji e ndryshon zemrën tënde”.

Në shkretëtirë Gjon Pagëzuesi fton të gjithë të pranishmit në rrëfimin e mëkateve, në pagëzimin e pendimit, dhe shpall ardhjen e afërt të Mesisë. Jezusi, Krishti, Mesia e Biri i Hyjit është Lajmi i Mirë që, aty ku arrin, bën të hidhen nga gëzimi e ndryshon ekzistencën nga maja në fund.  Dishepulli i Jezusit është një besimtar që në ecjen e jetës pret Zotin duke kryer detyrën e tij me besim këmbëngulës e veprues.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra të dashur, Zoti vjen për të na shpëtuar dhe për të ndërtuar mbretërinë e tij. T’i kërkojmë që të na shfaqë fuqinë dhe mëshirën e tij.  Të lutemi së bashku e të themi:

Eja, o Zot Jezus.

L. Mbështeti, o Zot, Papën e Shenjtë Françeskun, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët: që ashtu si Gjoni të dinë t’u shpallin të gjithëve Fjalën e Hyjit që fton në ndryshim. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që përgjegjësit e jetës shoqërore e civile të angazhohen që të ekzistojë një bashkëndarje e drejtë e të mirave. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që çdo burrë dhe grua të pranojë këtë periudhë ardhjeje dhe të jetojë me ndjenja pajtimi dhe paqeje. Të lutemi.

L. Dhuroji kësaj bashkësie, o Zot, forcën për të shpallur besimin në Krishtin dhe për ta dëshmuar me një sjellje të denjë jete. Të lutemi.

M. Pranoje, o Atë, lutjen tonë dhe na forco në dëshirën tonë për t’u hapur ndaj dashurisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »