Koha liturgjike e Ardhjes

Dec 11 • Këndvështrime

Nga Don Nikson Shabani

 

Koha liturgjike e Ardhjes është një periudhë katërjavore me të cilën, në Kishën Katolike, fillon viti i ri liturgjik, dhe koha përgatitore për Krishtlindje. Është periudhë liturgjike e cila i paraprinë festës së Krishtlindjes. Sikurse Kreshmët janë periudhë përgatitore për Pashkë ashtu edhe Ardhja është periudhë përgatitore për Krishtlindje. Në ritin romak, koha e Ardhjes fillon me të dielën më të afërt të festës e Shën Andreut apostull, 27 nëntor deri me 3 dhjetor, në ritin Ambrozian fillon me të dielën pasuese të Shën Martinit, 11 nëntor, dhe zgjat gjashtë javë. Fjala Ardhje rrjedh prej fjalës latine adventusardhje. Në botëkuptimin tonë mund të përkthehet edhe me “pritje” dhe prani“.  Në këtë periudhë pritjeje dhe përgatitjeje për Krishtlindje shpirti udhëhiqet po ashtu nga pritja e ardhjes së dytë dhe përfundimtare të Krishtit në fund të kohërave.

 

Origjina e kohës së Ardhjes dhe zhvillimi historik

Origjina e kohës së Ardhjes është identifikuar mes shekujve IV  dhe VI-të. Gjurmët e para i gjejmë në Gali – Franca e sotme, dhe Spanjë në fund të shekullit të IV-të, në një periudhë përgatitjeje për Krishtlindje. Festimi i parë i Krishtlindjeve ishte në Romë dhe daton në vitin 336. Këtu nuk hasim në ndonjë periudhë përgatitjeje, por vetëm në kremtimin e Krishtlindjes. Kohën përgatitore për Krishtlindje e hasim duke filluar nga shek. VI. Nuk është befasues fakti se koha e Ardhjes ka mundur të formësohet sipas shembullit të Kreshmëve. Kuvendi i Saragozës i vitit 380 vendosi që besimtarët të merrnin pjesë në vazhdimësi në bashkësi, ndërmjet 17 dhjetorit dhe 6 janarit. Më pas, kësaj kohe, do t’i kushtohen gjashtë javë përgatitjeje. Shën Gregori i Toursit na dëshmon rreth shek. VI, se sikurse në Kreshmë disa ditë të kohës së Ardhjes karakterizohen me pendesë. Kohë kjo e cila u quajt edhe “Kreshmët e Shën Martinit”, pasi që agjërimi filloi më 11 nëntor. Kështu Shën Gregori. Koha e Ardhjes që nga shek. IV ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

 

Koha e Ardhjes në Lindje

Në Lindje, origjina e kohës së Ardhjes, duhet të kërkohet rreth festës së Amësisë hyjnore apo Lajmërimit të Zotit. Kur u shfaq herezia e Nestorianëve eksitonte tashmë në Konstantinopojë një festë e Zojës, ndoshta të dielën para Krishtlindjes, duke pasur për përmbajtje pikërisht Lajmërimin e Zotit, të Zanunit e Virgjërës Mari, me theks në Amësinë hyjnore. Mbas Kuvendit të Efesit në vitin 431 kjo festë u përhapë në gjithë Lindjen. Mosmarrëveshjet me Nestorien çoi mbrojtësit e doktrinës për të insistuar që në predikimet e asaj feste të mbajnë predikime me theks të veçantë Amësinë e Zojës Bekuar, siç bëri të zëmë Shën Prokli në të dielën e 23 dhjetorit të vitit 428.  Mendimet e Etërve të  Kishës rreth kësaj çështje mund t’i përmbledhim në disa pika: Gjendja fillestare e njeriut të parë në parrizin tokësor dhe rënia e tij apo mëkati i rrjedhshëm; Plani hyjnor i Mishërimit dhe Shëlbimit; Maria, Eva e re; Amësia hyjnore e parathënë prej profetëve, e shpallur nga Engjëlli, e shfaqur në Ditën e Krishtlindjes dhe më vonë u njohur nga Mbretërit. Mirëpo përkujtimi i mistereve të cilat i paraprinë ardhjes së Mesisë dhe Mishërimit të tij, kërkonte që të përkujtohet Pararendësi i Jezusit, Gjon Pagëzuesi. Dhe në fakt e dimë se në mesin e shek. V në Jerusalem, Antioki e gjetiu, në të dielën para të dielës që i ishte kushtuar Nënës së Hyjit, festohej festa e Shën Gjon Pagëzuesit. Duhet theksuar se në Lindje, mbas shek. V, festat vijnë e renditen jo sipas kriterit logjik të asaj që Krishti është qendra e gjithë vitit liturgjik e gjithçka është në funksion të tij, por sipas kriterit kronologjik. Për çka festa e Lajmërimit të Zotit ose festa e Amësisë hyjnore është zhvendosë me 25 mars e që prej atëherë e diela dhe ditët para Krishtlindjes u kushtohen figurave të Besëlidhje së Vjetër e të Re që kanë profetizuar për Krishtin.

 

Koha e Ardhjes në Perëndim

Në Perëndim, gjurmët e para i gjejmë tek autorët e krishterë të shek. III e IV. Fjala Advent-Ardhje është një ndër shprehjet më klasike për të treguar ardhjen e Birit të Hyjit, shfaqjen e tij në trup. Dy janë dëshmitë më të lashta të Ardhjes.

E Para e Shën Ilarios dhe e dyta një kanon i Kuvendit të Saragozës i vitit 380. Dëshmia më e lashtë është një fragment i Shën Ilarios di Poitiers (+376) në Corpus Scriptorum Ecclesiasticorum Latinorum, 65,16, që thotë: “Sancta Mater Ecclesia Salvatoris adventum annuo recursu per trium septimanarum secretum spatium sibi indicavit.” Që thotë: “E Shenjtja Nanë Kishë i ka zbuluar vetvetes ardhjen e Shpëtimtarit gjatë një periudhe të caktuar kohore trijavore që përsëritet çdo vit.” E dyta dëshmi është një kanon i Kuvendit të Saragozës në vitin 380, can. 4, in Patrologia Latina 85,66,  i cili thotë; “Viginti et uno die, a XVI Kal. Januarii, usque ad diem Epiphaniae, quae est VIII Idus Januarii, continuis diebus, nulli liceat de ecclesia se absentare, nec latere in domibus; nec nudis pedibus incedere, sed concurrere ad ecclesiam.”,  Që thotë: “Për njëzet e një ditë, nga 17 dhjetori deri në ditën e Epifanisë, e cila është me 6 janar, pa ndërprerë, askush nuk lejohet të mungojë nga kisha dhe as të mbetet në shtëpi; as të ecë zbathur, por të shkojë në kishë.”

Janë këto dy tekste të njohura për të cilat disa i pranojnë si dëshmi të kohës së Ardhjes e disa jo, dikush i jep rëndësi tekstit të parë e dikush të dytit, këto dy tekste ende konsiderohen nga disa që nuk janë të provuara, kështu që ekzistenca e kohës së Ardhjes në fund të shek. IV mbetet ende e diskutueshme. Ndoshta mund të ishte një fillim për përgatitjen e dy festave, të Krishtlindjes dhe Epifanisë, siç na argumentojnë mësimet e një asketi spanjoll, rreth vitit 400, dhënë një miku për t’i kaluar shenjtërisht ditët e fundit të vitit dhe festat që janë festuar, madje edhe me një asketizëm martesor. 

Në shek. V ekzistonin dy aspekte të kohës së Ardhjes, njëri në Ravenë, nga shpirti Lindor – teologjik, dhe i dyti në Gali, thelbësisht pendestar, në fillim ishin pjesë përbërëse të vitit liturgjik. Dëshmia në Ravenë është Rrotulli i saj i cili përmban 40 mësime përgatitore për Krishtlindje. Vitet kur është shkruar ky Rrotull, sipas gjykimit të hulumtuesve, janë të afërta me ato të Kuvendit të Efezit (430). Kjo është dëshmia më e pastër dhe më e sigurtë e kohës së Ardhjes në Perëndim. Mund te themi se ajo vjen e frymëzuar nga predikimet e Shën Pjetër Krisologut, gjë që edhe mund të ilustrohet nga predikimet e tija, për festat e Lajmërimit dhe të Zanunit të Shën Gjon Pagëzuesit dhe Lajmërimit e të Zanunit hyjnor të Virgjërës Mari. Festa këto që ka shumë të ngjarë se janë festuar ndoshta dy të diela para Krishtlindjes.

Kurse në Gali, në anën tjetër, koha e Ardhjes ka të njëjtin funksion për Krishtlindje sikurse që Kreshmët kanë për Pashkë. Shën Gregori i Tursit (+594), thotë se kjo është një dëshirë dhe u themelua prej Perpetuos, ipeshkvit të gjashtë të Tursit. Ajo përbëhet nga një pendesë e ninesë prej gjashtë javësh që prej festës së Shën Martinit e deri në Krishtlindje, 43 ditë në të cilët liturgjia e vesh një karakter pendestar. Ende nuk ekziston një formular i përshtatshëm, por i cili ngadalë formohet në shek. VII, dhe ku vërehet ndikimi lindor, dhe si rezultat formojnë bashkimin e dy aspekteve të kohës së Ardhjes. Kjo ndodh më së shumti në vendet me ndikimin e Galicisë, por jo pa asnjë lidhje me Lindjen, siç është Spanja (riti mozarabik) dhe Milanon (riti ambrozian) ku koha e Ardhjes ka gjashtë javë.

Koha e Ardhjes në Romë vërtetohet për herë të parë në predikimet e Shën Gregorit të Madh (+ 604). Predikimet e tij të parat dëshmojnë për një periudhë të vërtetë përgatitjeje për Krishtlindje, që përbëhet prej pesë javësh në Sacramentario gelasiano (fundi i shek. V), dhe të katër javëve të atij gregorian (fundi i shek. VII).

Kjo mënyra e fundit mbizotëroi univerzalisht apo në mënyrë të përgjithshme nga ndikimi Gal, nga e cila në shekullin e shtatë u morën edhe ritualet e agjërimit dhe më vonë riti i pendimit.

 

Domethënia shpirtërore

Ndonëse në zanafillën e saj koha e Ardhjes në Lindje nuk ka pasur kurrfarë karakteri pendestar, në shek. VIII e inkuadron pendesën që, në Perëndim, së bashku me një lutje të zgjatur dhe ritet më të frekuentuara, krijojnë një ritëm të intensifikuar lartësimi në përgatitje të Krishtlindjeve. Prej këtij karakteri pendese sot mbetet diç vetëm në ritet dhe në ndalesën e festimeve solemne të martesës. Koha e Ardhjes në bën të meditojmë tri të ardhurat e Krishtit, të mbajtura gjallë në mendje me zërin e profetëve dhe me predikimin këmbëngulës të Pagëzuesit:

Ardhja në Kohë, kur duke u mishëruar është bërë njeri në kraharorin e pastër e të shenjtë të Marisë Virgjër, i lindur në Betlehem;

Ardhja Përfundimtare, kur në fund të kohërave e të shekujve do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit;

Ardhja Mistike, çdo herë që vjen për të banuar ose për të marrë në posedim pjesën më të madhe, me Hirin e tij, të një shpirti që ka mohuar mëkatin dhe ka bërë të mirën. Kisha, me mësimin ungjillor të ardhjes së fundit, të dielën e parë, tregon pikënisjen dhe mendimin mbizotërues të gjithë ripërtëritjes që duhet bërë për t’u përgatitur siç duhet për Krishtlindje./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »