A e ndiej nevojën për kthim?

Dec 14 • Meditimi i ditës

14 dhjetor 2017 – E enjte, Shën Gjoni i Kryqit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 41,13-20; Ps 144; Mt 11,11-15)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek Ti

se më ka marrë malli për afërsinë tënde.

Dëshiroj shumë të Të dua sikurse Ti më do mua.

Mos më ndaftë asnjëherë asgjë prej Teje.

 

Liria

Ftoje Shpirtin Shenjt që të të ndihmojë të shikosh ditën siç e shikon fëmija i porsalindur Jezusi. Çfarë gëzimi ke gjetur sot? Ku e ke ndier dashurinë e Zotit? Çfarë ke bërë sot për të përgatiturrrugën që Jezusi të lindë në këtë botë për ty?

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të bëhem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhuruar.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 11,11-15

 

11 Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai. 12 Që prej ditëve të Gjon Pagëzuesit e deri tani Mbretëria e qiellit po depërton me vështirësi e vetëm të fortët e shtijnë në dorë. 13 Vërtet të gjithë Profetët dhe vetë Ligji paralajmëruan deri te Gjoni. 14 Ai është ‑ nëse doni ta merrni vesh të vërtetën ‑ Elia, që duhej të vijë. 15 Kush i ka veshët për të dëgjuar, të dëgjojë!

 

Ç´dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Çka është ajo që e vendosi Gjon Pagëzuesin ndër më të vegjlit në Mbretërinë e qiellit?
  • Gjoni predikonte drejtësinë e Hyjit dhe nevojën për kthim. Por ai s`e përjetoi që ta shihte Jezusin e kryqëzuar dhe që në këtë të shihte arritjen e pabesueshme të dashurisë së Hyjit ndaj nesh.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »