Vullneti – angazhim i brendshëm që reflektohet jashtë

Dec 15 • Opinion

 Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Sot, duket se bota u përket më shumë atyre të “fortëve”, sesa personave me dëshirë dhe vullnet. Perceptimi nё përditshmërinë tonё ёshtё se mё shumë vlerësohet forca, sesa vullneti. Fjala vullnet, duket si një fjalë e dalё prej mode. Pse po ndodh kjo?

Pak prej nesh arrijnë ta kuptojë se ç’energji e madhe jetësore përfshihet në fjalën vullnet, dhe se  nuk e kemi ende të qartë, se veç përmes tij, mund të arrihen e të kryhen veprime, që me mendje na duken të pamundura dhe absurde. Arthur Schopenhauer, thotë: “Vullneti për mendjen është si një njeri i verbër e i fuqishëm, i cili mbart mbi shpatulla një njeri të çalë që mund të shohë”.

Mirëpo, kur flitet për vullnetin, nuk mund të mos ceket edhe rëndësia e dëshirës. Që për fat të keq, për këtë të fundit, ndodh të kemi një ide jo të qartë, dhe shpesh herë të gabuar. Kur flitet për dëshirën, menjëherë na shkon mendja, tek instinkti. Ndaj, e shohim atë si një lëvizje të verbër dhe të pavetëdijshme, si diçka jo të mirë, e kështu vazhdohet duke mos e vlerësuar siç duhet dhe duke mos i kushtuar rëndësi. Por, është e pamundur të flitet për vullnetin pa iu referuar dëshirës, sepse në radhë të parë lind dëshira, pastaj vjen vullneti.

Nëse keni veç vullnetin por ju mungon dëshira, jeni të pafrytshëm. Mirëpo, nëse keni vetëm dëshirë pa vullnet, do të jeni një person i detyruar, i burgosur, pra, si një fëmijë i rritur, që bëhet një njeri robot. Një gjë e tillë, që të kuptohet më mirë, duhet pasur parasysh fakti se dëshira është e lidhur ngushtë me personalitetin, sikurse vullneti me shpirtin. Për këtë arsye, dëshira nuk mund të na udhëheq përtej kufijve tanë. Po ashtu, pa dëshirën, vullneti humb limfën e jetës, kështu që jeta e personit, shkon pashmangshmërisht drejt një kontradikte të brendshme. Pra, nuk mund të ketë veprime vullnetare të vërteta, pa një dëshirë paraprake.

Rollo May, thotë: Dëshira nuk është një lëvizje kaotike e verbër dhe automatike (me buton), por një forcë e kanalizuar dhe e formuar nga një domethënie. Është ajo që sjellë nxehtësi, imagjinatë, freski, dhe pasuri për vullnetin, ajo që sugjeron veprimin dhe që vë në lëvizje gjithë aparatin psikik.

Me pak fjalë, mund të thuhet se dëshira, është shtysa që të çon përpara për të bёrё diçka, dhe jo e kundёrta e saj. Prej kësaj, kuptohet se ajo nuk është thjesht dhe vetëm një nevojë, por është pikërisht ajo e cila e fut personin në botën e ideve dhe e ndihmon  kёtё  të fundit, që ta gjejё mënyrën për t’i bërë ato reale e konkrete.

Mos ta lejojmë, që të na ikë dëshira, sepse nëse e lejojmë këtë gjë, krijohet apo i lihet hapësirë shqetësimit dhe dembelizmit. Dëshira dhe vullneti janë dhurata që Zoti ia ka dhёnё njeriut dhe askujt tjetër, e kërkon prej tij, që t’i zhvilloj sa më shumë, e gjithmonë për të mirën e tij dhe të tjetrit. Mundësia që të arrihet një gjë e tillë ёshtё vetëm atëherë kur personi resht së qëndruari i mbyllur në vetvete, dhe fillon ta konsideroj botën që ndodhet jashtë e rreth e rrotull tij, duke u bёrё pjesë aktive e saj. Dëshira dhe vullneti, mund të shihen si dy anë të së njëjtës medalje.

Dëshira, vullneti, janë dhurata që s’mund të na i marrё apo rrëmbej askush, sepse janë brenda secilit individ. Konfuci thoshte: “Ju mund të mposhtni gjeneralin që komandon tre ushtri, por nuk mund të ndalni vullnetin e fortë të një njeriu të thjeshtë”.

 

Vullneti, virtyti lartë njerëzor

Gjithçka fillon me një dëshirë, por për të arritur diçka dhe diku, nuk mjafton vetëm dëshira por kërkohet edhe vullneti. Nëse e ke vullnetin, gjithmonë do të ketë një rrugëdalje. Pra, vullneti është ndër virtytet më të larta njerëzore. Është pikërisht ai, që dëshirën e kthen në veprim, nuk e lë vetëm në ide dhe imagjinatë. Është ai, që e mbron dëshirën dhe e nxit atë, për të vazhduar përpara, duke shmangur rreziqet e mundshme. G. Sali thotë: “Forca e vullnetit është sekreti themelor i çdo fitoreje”.

Me anën e vullnetit zhvillohen; ambicia, vendosmëria, forca e durimit, e faljes dhe e qëndrueshmërisë. Pra, është ai që e mbanë individin vigjilent, të kujdesshëm dhe me ndërgjegje të pastër. Është ai, që e nxit për të vepruar dhe për t’i kontrolluar veprimet. Personave me këtë virtyt, jeta u jep më shumë se sa ata mendojnë dhe shpresojnë. Eskili thotë: Zoti gjithmonë punon me ata që punojnë me vullnet. Sepse Ai, kërkon të bashkëpunoj me krijesën (personin) të cilin e krijoi në përngjasimin e vetes. (Khs. Zan 1, 27)

Samuel Smiles, thotë: Të gjitha sukseset, në të gjitha fushat, aktivitetet njerëzore, intelektuale, materiale e shpirtërore, janë rezultat i vullnetit. Pra, çdo sukses që kemi është falë vullnetit. Edhe pse ne nuk e vlerësojmë, ai vazhdon të veprojë. Mos të harrojmë, por çdo ditë të bëhemi të vetëdijshëm, se jeta u përket personave të vullnetshëm, atyre që bashkëpunojnë me Krijuesin dhe tjetrin.

Hasier Agirre thotë: Nuk ka çelës më të mirë se vullneti, për të hapur një derë.

Pra, ta praktikosh vullnetin, do të thotë të përpiqesh ta ruash freskinë e zbulimit fillestar, dhe të kuptosh që ky margaritar i intuitës, vetëm një herë do të bëhet perlë e çmuar. Të kesh vullnet, do të thotë të kesh personalitet, karakter dhe inteligjencë. Po ashtu do të thotë të dish të duash. Kështu që, nëse mungon vullneti nuk do të kemi mundësi t’i shfaqim këto të tria.

Anatole Franc thotë: Inteligjenca pa vullnetin nuk vlen asgjë. Me një fjalë, mund të thuhet se vullneti është një faktor që ndihmon inteligjencën. Sepse ajo, pa vullnetin nuk mund ta kryej misionin që ka.

Kështu, kërkohet që dita-ditës të vetëdijesohemi, se kur personi nuk arrin diçka, ose diku, apo dështon në një gjë apo tjetër, shkaku kryesor mund të jetë mungesa o pamjaftueshmëria e vullnetit. Ndaj, shpeshherë ndodh të fajësojmë të tjerët, kohën, situatën e asnjëherë nuk ndalemi të pyesim veten: Sa jam angazhuar në zhvillimin e vullnetit? Si është vullneti im? Kam provuar ta praktikoj atë? E shumë pyetje të tjera. Niccolò Machiavelli, thotë: Ku ka vullnet të madh nuk mund të ketë vështirësi të madhe. Pra, ai është virtyti që mposht çdo vështirësi e  çdo gjë tjetër.

Edhe pse vullneti e ka një rëndësi kaq të madhe, mjerisht dëgjohet shumë shpesh nga njerëzit të thuhet se nuk kanë vullnet për asgjë. E çfarë do të thotë kjo? Do të thotë, se njeriu po e nënvlerëson dhuratën e mundësinë që ia ka dhënë Zoti e po ashtu edhe suksesin e vet. Sepse, nuk ka njerëz pa vullnet, ai është brenda secilit prej nesh. Konfuci thotë: Fati ynë nuk është jashtë nesh, por brenda nesh tek vullneti ynë. Pra, mos të kërkohet jashtë nesh, sepse nuk gjendet, mos të kërkohet nga të tjerët sepse nuk mund ta japin dot, mos të kërkohet në dyqane, farmaci, pasuri, sepse nuk mund të blihet, ai është virtyt i brendshëm, është një dhuratë që ekziston brenda teje, e brenda secilit person. Por, kjo varet nga personi se sa e angazhon, ushtron  dhe e aktivizon atë. Nëse nuk aktivizohet, ushtrohet, angazhohet, vullneti mund të mpihet e kështu atëherë mund të ndodhë që të ketë persona me vullnet të mpirë, por jo persona pa vullnet.

 

Si dallohet individi me vullnet nga ai me vullnet të mpirë?

Individi me vullnet dallohet qysh nga qëndrimi, ai është ambicioz, i vendosur, i durueshëm, i  guximshëm, korrekt, dhe është me mendje të hapur. Dallohet qysh nga ecja, sepse ecën krejtësisht ndryshe, shkon përpara drejt, me trupin e tendosur, ecën me hapa të vendosur e të sigurt. Dallohet nga shikimi, mbanë një kontakt të vazhdueshëm me bashkëbiseduesin, sytë e tij janë plotë gjallëri. Dallohet nga të folurit, flet qartë, shkurt dhe bukur, ka një zë të ëmbël e paqësor. Po ashtu, dallohet edhe nga puna, punon pa u lodhur, ka në dispozicion edhe kohë të lirë për veten dhe tjetrin. Menaxhon mirë kohën. Është këmbëngulës në arritjen e qëllimeve, e vlerëson dhe e do punën. Arrin dhe fiton respekt. Kështu që personi me vullnet, si në lojë, si në dashuri, si në punë  si në situata jo fort të këndshme, do t’ ia dalë dhe do të ketë sukses.

Individi me vullnet të mpirë, është i pavendosur, i paqëndrueshëm, shfaq mungesë vetëbesimi, është gjithmonë i zënë, nuk ka asnjëherë kohë për veten dhe tjetrin, nuk i mjafton koha dhe  nuk di ta shpërndajë me kriter atë. Flet nën zë, pëshpërit ose ngre zërin, duke menduar se zëri duhet të dominojë e jo fjala. Ecën duke u lëkundur, heziton, e ka hapin e dyshimtë. Ka një fytyrë të trishtuar e të lodhur.

Gjithashtu, personi me vullnet të tillë shpesh përshkruhet si një person që  mban mbi kokë një kapele që nuk i korrespondon me saktësi përmasës së saj. Pranon të mbajë këpucë të papërshtatshme e mos të dalё e të blejё të tjera. Nëse diçka i hyn në këpucë, ai nuk ndalet për ta hequr, por vazhdon të ecë edhe pse ajo e vret, duke shfaqur kështu dembelizëm edhe ndaj kujdesit për veten e tij. Po ashtu, një njeri i tillë, nuk reagon asnjëherë ose nëse reagon e bënë në mënyrë negative. Pranon të veshë edhe diçka qesharake e të mos kundërshtojë.

Duhet kuptuar se këto veprime nuk i bënë për përvujtëri, thjeshtësi, e heroizëm, porse për shkak të mos ushtrimit dhe të mos praktikuarit të vullnetit, gjë që e çon atë drejt dembelizmit. Victor  Hugo thotë: Njerëzve nuk u mungon forca por vullneti.

Mungesa e vullnetit të çon në apati, në përtesë, në paqëndrueshmëri, në inferioritet dhe në pavendosmëri. E shumë shpejt, individi mund të bjerë në gjendje depresive. Për fat të keq, sot, shoqëria është e mbushur me individë të tillë. Richard Brookhiser thotë: Depresioni manifestohet nga mungesa e vullnetit. Pra, me pak fjalë, mund të thuhet se personi me vullnet të mpirë është një viktimë për veten dhe shoqërinë, pasi që duke mos u angazhuar në zhvillimin e vullnetit të tij, lë mënjanë edhe dinjitetin.

Ajo që na propozohet është se sado të rënda të jenë rrethanat në të cilat përplasemi, sado kritike të jenë kushtet, e sa herë që pësojmë rrëzime, të gjejmë në veten tonë forcën e duhur për të pranuar e përballuar çdo situatë, për t’u ngritur kështu mbas çdo rrëzimi. Një gjë e këtillë arrihet me besimin në Zot dhe me vullnet, përndryshe, do ta kemi të vështirë t’ia dalim mbanё. Çdo gjë, varet nga besimi, dëshira dhe vullneti.

Nё mbyllje, dëshiroj të kujtoj thënien e Arthur Schopenhauer: Një thërrime e vullnetit do të peshojë  më shumë, se një kuintal gjykimi dhe bindjeje./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »