A e vërej Zotin që befason?

Dec 16 • Meditimi i ditës

16 dhjetor 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 48,1-4.9-11; Ps 79; Mt 17,10-13)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempullin e tij…

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujton se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 17,10-19

 

10 Atëherë nxënësit e pyetën:

“Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë përpara Elia?”

11 Ai iu përgjigj:

“Po, Elia do të vijë dhe do të vërë çdo gjë në vend të vet. 12 Porse, unë po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të gjithçka deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë shumë prej tyre.”

13 Atëherë nxënësit e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzuesin.

  

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit janë të çorientuar. Ata besojnë se do të vijë Elia përpara vendosjes së Mbretërisë së Hyjit. Jezusi përpiqet t`i lëvizë të ecin përpara, duke u thënë se punën e Elisë e ka bërë tashmë Gjon Pagëzuesi. Zoti vepron në një mënyrë që është më ndryshe nga ajo e jona. A ndodhë që edhe unë të marr në thua dhe ta lëshoj pa e vërejtur Hyjin që befason?
  • A mund t`i dalloj njerëzit e mirë nga mashtruesit? Mendja ime a është e hapur për të vërtetën, edhe kur vjen nga burime të papritura? Apo jam i/e kufizuar nga “njëanshmëria” sa që nuk e shoh të mirën në të tjerët?

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e kam lexuar.
Çfarë më ka nxitur më së shumti në meditim?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të teksti në sipërfaqen e vetëdijes sime
ngadalë më dalin në kujtesë fjalët e shokut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar kohëve të fundit.
Nëse është ashtu, a e ndriçon tregimi atë çfarë teksti i Shkrimit Shenjt dëshiron të më thotë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »