Erdhi një njeri i dërguar prej Hyjit: Ai quhej Gjon

E diela III e Ardhjes – viti B

 

Leximi i parë   Is 61, 1-2.10-11

Të gjithë të krishterët janë meshtarët e Zotit dhe ministrat e Hyjit. Kanë marrë një shugurim që i bën profetë të Ungjillit, dëshmitarë të besëlidhjes mes Hyjit dhe njerëzve. Në duart tona qëndron fara e drejtësisë dhe e lumturisë. Ne na është besuar misioni për të bashkuar njerëzit me Hyjin.  Ne zotërojmë dinjitetin të jemi popull i bekuar nga Zoti, duke marrë pjesë në vështirësinë dhe dhimbjen e njerëzve për të ripërtërirë historinë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; ta shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë, t’i ngushëlloj të gjithë ata që qajnë. Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me stoli argjendi. Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij, kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia edhe lavdia në sy të të gjithë popujve. Fjala e Zotit.

 

Psalmi / Kënga  Lk 1, 46-50.53-54

Ref: Shpirti im me hare i brohorit Hyjit.

———————————————–

Shpirti im e madhëron Zotin,

shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:

po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.

——————————————-

Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm:

i shenjtë është Emri i tij!

Mëshira e tij brezni me brezni

për ata që e nderojnë.

——————————————–

Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë,

e të pasurit i nisi duarthatë.

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke u sjellë në mend mëshirën.”

———————————————

 

Leximi i dytë   1 Sel 5, 16-24

Shën Pali nxit të krishterët për të bërë të mirën dhe për t’u larguar nga e keqja, të jenë gati për ardhjen e Zotit, duke jetuar gëzimin që i përkasin Krishtit dhe Kishës së tij.  Kemi marrë dhuratën e profecisë që e bën aktual Ungjillin dhe e bën të pranishëm sot Shpirtin e Hyjit në njeriun.  Nëse nuk jetojmë profecinë, shuajmë dritën e Fjalës që Kisha duhet t’i dërgojë botës, dhe nuk komunikojmë dhuratën që shpëton njeriun.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë! Lutuni pa pushim! Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin! Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju! Profecitë mos i përbuzni! Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën! Çdo lloji të së keqeje rrini larg! Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajt e patëmetë dhe e përsosur për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu! Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 1, 6-8.19-28

Gjoni do të jetë vetëm një “zë”, do të tërheqë vëmendjen e popullit drejt një të panjohuri që është Mesia. Në kohën e Ardhjes, Kisha kërkon e dëshiron paqen e vëllazërimin mes njerëzve e popujve. Ajo, ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi, duhet të jetë e përvuajtur dhe e fshehtë. Kisha nuk ka një përgjigje për të gjitha pyetjet njerëzore, ajo nuk është pronarja e Zotit, por është jehona e zërit të Tij. Misioni më i rëndësishëm i Kishës është t’iu dhurojë Krishtin zemrave të njerëzve, duke shndritur me Fjalën e Tij shpresën, luftërat, gëzimet dhe dhimbjet e njerëzimit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Dhe ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!” “Kush pra? – e pyetën ata. – A mos je Elia?” “Nuk jam!” – u përgjigji. “A je Profeti?” “Jo!” – ua ktheu. Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?” Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Rrafshoni udhën e Zotit!’ – sikurse tha Isaia profet.” Disa prej të dërguarve ishin farisenj. Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?” Gjoni përgjigji: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen mbas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.” Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Fjala “ardhje” paraqet konceptin e pritjes. Kur themi “ardhje”, flasim për një kohë pritjeje. Të jetosh në pritje të Zotit Jezus, domethënë të pranosh me besim ardhjen e tij të parë në histori, ardhjen e tij të fundit si gjykatës i historisë, por sidomos të pranosh sot me dashuri ardhjen e tij në të afërmin.

“Qe një njeri i dërguar prej Hyjit”. Gjoni është dëshmitari, është ai që ka parë, ka provuar, ka njohur Jezusin. E gjithë ekzistenca e Gjonit konsiston në të dëshmuarit e dritës. Është Jezusi drita e vërtetë, i vetmi që u zbulon njerëzve Hyjin si Atë, si Dashuri, duke fshirë errësirat e mëkatit dhe të vdekjes. Është Jezusi i vetmi çlirimtar e shpëtimtar i njeriut, i vetmi që bën të lumtur.

Kush je ti?’ ai dëshmoi: Unë nuk jam Mesia!’” Gjoni, i pyetur për identitetin e tij, përgjigjet se nuk është as Mesia, as një personazh i pritur për kohën e shpëtimit. Gjoni pranon se është një zë që komunikon një mesazh shprese e shpëtimi e pastaj shuhet e zhduket. ‘Fjala’ mbetet.

“Unë pagëzoj me ujë”. Gjoni pohon se ai pagëzon në ujë. Jezusi do të jetë Ai që pagëzon në Shpirtin Shenjt. Mes tij dhe Jezusit ka një distancë të madhe: nuk është i denjë as për t’i ofruar shërbimin e përvuajtur të skllavit. Nuk dëshiron t’i lidhë njerëzit me veten e tij, por i adreson drejt Jezusit. Ashtu si Gjoni, edhe ne jemi të thirrur të jemi dëshmitarë të dritës, domethënë të prezantojmë, të bëjmë të takojmë Jezusin në vërtetësinë e tij: Biri i Hyjit bërë njeri.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Krishtlindja tashmë e afërt ndriçon ecjen tonë të Ardhjes me ndjenja gëzimi e mirënjohjeje për dhuratën e madhe bërë njerëzve nga Zoti: Birin i tij Jezus që lind për shpëtimin tonë. Plot me mirënjohje të themi së bashku:

Eja, o Zot Jezus.

L. Që Kisha edhe në mes të vështirësive dhe vuajtjeve të botës, të jetë gjithmonë përcjellëse e mesazhit të Krishtit që u hap të gjithëve një të ardhme në paqe e besim në Shpirtin Shenjt. Të lutemi.

L. Që ata që qeverisin kombet të jenë të vetëdijshëm për detyrën dhe për përgjegjësitë e tyre dhe të bashkëpunojnë për projektin e Zotit, për një botë drejtësie, paqeje e lirie. Të lutemi.

L. Që të rinjtë, të gjejnë në ecjen e tyre persona të aftë për t’i ndihmuar në zgjedhjet e jetës. Të lutemi.

L. Që, duke mirëpritur mesazhin e Gjon Pagëzuesit, të dimë të përgatisim me gëzim zemrën tonë për Zotin që po vjen me vepra mirësie dhe me lutje besimplote. Të lutemi.

L. Që bashkësitë tona rregulltare të ndjejnë sa më shumë praninë e Krishtit në jetën e tyre, e besimtarët të jetojnë të bashkuar e në harmoni me Krishtin. Të lutemi.

M. O Atë, që ke dërguar Shën Gjon Pagëzuesin për t’i përgatitur Krishtit Zot një popull të gatshëm, kënaqe Kishën tënde me plotësinë e dhuratave të Shpirtit, e udhëhiqe në rrugën e shpëtimit e të paqes. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: