Përgatitja e mirë e rrit gëzimin e festës

Dec 17 • Meditimi i ditës

 17 dhjetor 2017, E diela III e Ardhjes (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 61,1-2a.10-11; Lk 1,46-50.53-54; 1Sol 5,16-24; Gjn 1,6-8.19-28)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar këtu, të rrahurat e zemrës, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment, dhe bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit në mua.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhuruar.
Këtë bekim ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 1, 6-8. 19-28

 

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

19 Dhe, ja, dëshmia e Gjonit!

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” 20 ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

21 “Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

22 Atëherë i thanë:

“Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

23 Ai tha:

“Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

‘rrafshoni udhën e Zotit!’

siç tha Isaia profet.”

24 Disa prej të dërguarve ishin farisenj. 25 Ata e pyetën:

“Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni u përgjigj:

“Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. 27 Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

28 Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jemi në pritjen e një ndodhie. Si në ndeshjen futbolli: kur ekzekutohet goditje e lirë apo penaltia – i tërë stadiumi është në pritje duke shpresuar shënimin që mund të vendosë për fituesin. Gjon Pagëzuesi është ende në skenë, duke na drejtuar se në ç`drejtim duhet shikuar, ku të presim dhe si ta presim atë që po vjen. Aq shumë jemi mësuar me Krishtlindje dhe ardhjen e Krishtit sa që mezi e ndiejmë tendosjen dhe pritjen.
  • Krishtlindjet do të vijnë dhe do të kalojnë si çdo vit, dhe më vonë njerëzit do të thonë: Faleminderit Zotit, kemi pasur një Krishtlindje të qetë. Mirëpo, Krishtlindja nuk do të duhej të ishte e qetë. Ajo duhet të eksplodojë me gëzim, ashtu si skuadra e dashur arrin të shënojë gol. Ajo duhet të jehojë me buzëqeshjen dhe gëzimin e prindërve fëmija i të cilëve është lindur. Krishtlindja duhet të jetë zë i kujdesit, butësisë dhe dashurisë, zë i së mirës në shkretëtirën e kësaj bote.
  • Kjo javë mund të jetë javë e pritjes – të bësh diçka në mënyrë që sa më mirë të përgatitesh për ardhjen e Zotërisë. Bëj diçka çdo ditë për të varfrit, falënderoje dikë sinqerisht për shkak se ai person është pjesë e jetës tënde, afroju sakramentit të pajtimit, shko në meshë dy apo tri herë në javë, kërko falje prej dikujt të cilin e ke lënduar dhe falja atij që të ka lënduar.
  • Përgatitja rrugën Zotit, rrugën e pritjes para Krishtlindjes që po vjen. Atëherë Zoti nuk do të na befasojë; atëherë Ai që vjen nuk do të jetë i panjohur, atëherë do ta kemi Krishtlindjen e plotë dhe për shkak të çdonjërit prej nesh dikush tjetër do ta ketë Krishtlindjen më të lumtur.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllje

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »