“Lotët janë gjaku i zemrës”

Dec 18 • Këndvështrime

Kureshtja për të zbuluar kuptimin e fjalës “me qa”, më shtyn ta kërkoj e ta gjej në gjuhë të lashta e të reja. Vërej se ka një kuptim, që përkon me veprimin e goditjes.  E foljet “me qa” e “me goditë” i ngjasin shumë edhe foljes “me jetue”. Nëse ndokush “të godet” në ndonjë farë mënyre, nuk mungon kurrë reagimi. E loti. Shpesh herë loti në sy shikohet si shenjë ligështie, simbol i njerëzve të paforcë, të ligshtë, të paaftë për ta përballuar gjakftohtësisht goditjen. Kuptimi popullor i lotit e përjashton forcën e kësaj përvoje, që në fund të fundit e provojmë të gjithë. Lotët e vërtetë, ata që gurrojnë nga ndjenja të thella, i shikojmë vetëm në sytë e atyre, që dinë të zbresin në thellësi të shpirtit, të vet e të të tjerëve. 

Lotët mund të dërgojnë nga gëzimi, nga hidhërimi, nga dhimbja. Por gjithnjë flasin për distancë ndërmjet dy ngjarjeve, që jetohet si e papritur. Në gëzim, distancë ndërmjet asaj, që na habit, sepse e beftë, e asaj, që dëshironim të ndodhte. Në dhimbje, distancë ndërmjet një dashurie të madhe e mungesës a dështimit të saj.

Edhe Jezusi qan. Nuk është dëshpërim, ky i Zotit. Kur populli nuk e pranon dhuratën e shpëtimit, Jezusi qan për verbërinë e Jerusalemit, për zemrën e tij të gurtë, për vrazhdësinë, përballë së resë. Janë lot, që e shtyjnë të dhurojë gjithë vetveten, të mundohet e të ringjallet.  Por edhe kur vdes Lazri, loti i Zotit bëhet burim i ringjalljes. Gjithçka na kujton dashurinë e plotë, pa kushte.
Vetëm kush do, di të qajë për dhuratën, që i vjen papritur, për mungesën e asaj, që deshi ose për tradhtinë e pamerituar. Është thellësisht dramatike të kesh zemër të thatë, si rëra e shkretëtirës. Tragjike, të mbyllesh në vetvete. Të jesh njeri, që s’di ç’është loti i gëzimit a i dhimbjes. Që e kyç lotin në skutat e panjohura të shpirtit. Shkolla e mëshirës mund të na çojë në atë udhë, ku mund ta masim largësinë ndërmjet realitetit e pritjes së dashurisë.

“Hapi sytë tanë, o Zot, që të mund t’i shohim vëllezërit e motrat. Na i hap veshët, Zot, për të mundur të dëgjojmë britmën e atij, që ka uri, ftohtë, frikë, atij, që është i shtypur. Hape zemrën tonë, Zot, që të mësojmë ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na do Ti! Na e jep përsëri Shpirtin tënd, Zot, që të bëhemi një zemër e vetme e një shpirt i vetëm, në emrin Tënd! Amen”.
(Nënë Tereza e Kalkutës).

Për Shën Agostinin, “Lotët janë gjaku i zemrës”.

Për shkrimtarë të tjerë:
Nga çdo kujdes buron ujë i kripur: djersë e lot!
Vlerën e lotit e njeh vetëm ai, që e ka ndjerë duke u nisur nga zemra.
Mëso nga retë të mos i mbash lotët.
Dhimbja pa lotë, është si dimri pa reshje.
Kripa duhet të ketë diçka të shenjtë, që kur gjindet në lot e në det.

Në çdo lot vezullon një shpresë.

(Radio Vatikani në gjuhën shqipe)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »