Shën Jozefi, modeli se si duhet të sillemi me dyshimet

Dec 18 • Meditimi i ditës, Teologji

 

18 dhjetor 2017 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 23, 5-8; Ps 71; Mt 1, 18-24)

 

Prania e Hyjit
“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat vetjake,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

————

Mt 1,18-24

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.

 

—–

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Imazhi i Familjes së Shenjtë duket paqësor. Por le të kujtojmë zemrën – krizën shkatërruese me të cilën ata u ballafaquan në ngjarjen vijuese. Jozefin e qetë, të kujdesshëm e torturojnë pyetje të ndryshme: “A kishte qenë Maria e pabesë? Kush është i ati? A duhet të ndahet prej saj? Çfarëdo të ndodhë me fëmijën? Si mund ta shpëtojë nga turpi?”
  • Jozefi nuk ikën në panik, por lutet dhe me një dozë konfuzioni hyn në një jetë që ai kurrë s`kishte mundur ta priste.
  • Në këtë ngjarje e kemi një model sesi duhet marrë vendimet dhe si duhet të sillemi me dyshimet. Lutu për këtë, merre atë si një pyetje, drejtoju Zotit për këtë. Kjo është historia e thirrjes krejtësisht unike e Jozefit, si atë-kujdestar i Birit të Hyjit.

 

Bashkëbisedim
Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllje
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »