Mrekullia e jetës dhe ekzistencës
19 dhjetor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Gjq 13,2-7.24-25; Ps 70; Lk 1,5-25)
Prania e Hyjit
Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.
Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.
Liria
Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:
më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.
Ndërgjegjësimi
Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Lk 1, 5-25
5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.
8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:
“Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”
18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:
“Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.”
19 Engjëlli iu përgjigj:
“Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm. 20 Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.”
21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.
23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:
25 “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!”
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjt:
- Ishte kjo një ditë e lumtur për Zakarinë: ishte pikërisht ai që u zgjodh nga një mori priftërinjsh që ishin aty, për të kushtuar temjan për popullin hebre. Vuajtja më e madhe e jetës së tij – s`kishte pasardhës – me siguri i vinte në mendje gjatë kohës që lutej.
- Kumtimi i engjëllit se do të bëhet baba i një fëmije të veçantë ishte përgjigjja në lutjet e tija, por ajo e la atë pa fjalë.
- O Zot, edhe para se unë u linda, prindërit e mi janë lutur që unë të lind, që të jetoj dhe se e ardhmja ime të jetë me ty.Faleminderit për mrekullinë e jetës dhe ekzistencës!
Bashkëbisedimi
Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.
Përmbyllje
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« “Lotët janë gjaku i zemrës” Në krizë ta përdorësh mendjen dhe zemrën! »