A i vlerësoj më shumë të refuzuarit e kësaj bote?
22 dhjetor 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Sam 1 24-28; Ps 1 Sam 2,1-7; Lk 1,46-56)
Prania e Hyjit
Është gjë e mrekullueshme të jesh së bashku me shokë, në afërsinë e tyre.
Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.
Më ke krijuar nga dashuria.
Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehura.
Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.
Liria
O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.
Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Që ta sodis bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.
Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.
Lk 1, 46-56
46 Atëherë Maria tha:
“Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është i tij!
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim.”
56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- E paramendoj se jam i/e grishur të qëndroj së bashku me Elizabetën dhe Marinë tre muaj. E vështroj çka flasin dhe bëjnë dhe se si janë të lumtura pa bërë zhurmë ndërsa janë duke e mbartur misterin e Zotit në kraharorin e tyre.
- Maria e lavdëron Zotin se po e rrotullon historinë njerëzore. Hyji i hedh poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzon princat prej froneve të tyre, kurse të pasurit i nis duarthatë. Në vendin e tyre i lartëson të përvuajturit dhe iu jep të hanë skamnorëve.
- A i vlerësoj më shumë të refuzuarit e kësaj bote apo të njohurit dhe pasanikët? Për këtë do të bisedoj me Marinë.
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Programi i Krishtlindjes 2017 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do ta lind një djalë! »