Sot, Drita e vërtetë zbriti nga qielli

Nata e Krishtlindjes – viti B

 

Leximi i parë   Is 9, 1-3.5-6

Hebrenjtë nën sundimin e asirianëve luteshin kështu: “Ardhtë një njeri për ne në portat e qytetit!”. Është thirrja e një populli të shtypur dhe të braktisur që pret njeriun e shpëtimit. Dhe njeriu i shumëpritur vjen mes nesh, por është një foshnje, i varfër. Në vend që të na ndihmojë, Ai kërkon ndihmë prej nesh. Është një foshnje që na kërkon që të angazhohemi me të gjitha forcat tona për paqen dhe dinjitetin e njeriut.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijës së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do t’ ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Qysh tash e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   96

Ref: Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot

——————————————-

Këndoni Zotit një këngë të re!

Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.

——————————————-

Shpalleni si një ditë për ditë

shpëtimin e tij,

kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,

ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

——————————————-

Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!

Le të buçasë deti me ç’ka në të,

le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,

le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve.

——————————————-

 

Leximi i dytë   Tit 2, 11-14

Në këtë natë nuk festojmë vetëm lindjen mallëngjyese të një foshnjeje ardhur në botë në varfërinë e një stalle. Shën Pali pohon se kjo foshnje është Hyji që është bërë i dukshëm, është shpëtimi ynë. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit

Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin!  Sot ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!

Aleluja

 

Ungjilli   Lk 2, 1-14

Në një fshat të panjohur të Judesë, të shtypur nga romanët, lind një foshnje, shenjë e shpresës.  Lindja e Jezusit nuk merret vesh nga të mëdhenjtë e kësaj bote, por njihet nga një grup barinjsh si Mesia i shumëpritur.  Lindja e tij është realizimi i profecive të vjetra, dhe shpallja e një ngjarjeje të ardhme: Pashkët e çlirimit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. Të gjithë shkonin të regjistrohen, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, mbasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë. Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet – të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta. Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit u shndriti e ata u trembën për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnje të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.” Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Gjendemi në natën më të dashur të Vitit Liturgjik pas asaj të Pashkëve. Natë drite dhe gëzimi, natë çlirimi dhe shpëtimi, natë mahnitjeje dhe dashurie. Është nata që po jetojmë. Isaia tregon:

“Populli që ecte në errësirë sheh një dritë të madhe”. Dhe ungjilltari Luka përgjigjet: “Mos kini frikë, ja unë po ju shpall një gëzim të madh: sot lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zot; do të gjeni një foshnje të mbështjellë në shpërgënj e të vënë në grazhd”.  Një grazhd, një foshnje, Maria dhe Jozefi në soditje: me të vërtetë është një Hyj misterioz Ai që sot ka lindur. Asnjë fakt madhështor, asnjë vëmendje nga ana e njerëzve për këtë foshnje që po lind; vetëm disa barinj të dëbuar nga shoqëria arrijnë në shpellën e Betlehemit.  Ai gjendet në botën që Ai vetë vazhdimisht krijon, por mbetet i fshehur, sepse vetëm kush është i varfër në zemër dhe i përvuajtur mund të njohë hyjninë e kësaj Foshnje. Ai është një Zot foshnje, i pambrojtur, i dobët.  Një Zot që ka nevojë për gjithçka, që ka nevojë për dashurinë tonë.

Por shumë e mbysin duke e kthyer Krishtlindjen në një festë formale dhe tradicionale. Të tjerë e mbysin Hyjin foshnje duke e ndaluar të rritet. Jezusi nuk është një traditë vjetore, nuk është një mit, nuk është një përrallë. Jezusi është pjesë e gjallë e historisë sonë njerëzore. Në Jezu Krishtin e mishëruar, njeriu bëhet biri i Hyjit dhe mund t’i drejtohet Hyjit e ta thërrasë “Atë”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në këtë natë të shenjtë në të cilën ka lindur Biri i Virgjërës Nënë, Emanueli Zoti-me-ne, të bashko-hemi me të gjithë ata që besojnë dhe shpresojnë në shpëtimin e realizuar nga Zoti Jezus. Të lutemi së bashku e të themi:

Na shpëto, o Zot Jezus.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët: që të jenë të aftë të transmetojnë besimin në Zotin Jezus, lindur në Betlehem, edhe duke treguar rrugë të reja ungjillizimi për njerëzit e kohës sonë. Të lutemi.

L. Për Kishën: që të pranojë me gëzim praninë e Jezusit, Hyji i vërtetë dhe njeri i vërtetë, duke kremtuar sakramentet dhe duke dëshmuar bamirësinë. Të lutemi.

L. Për të gjithë njerëzit: që prania e Birit të Hyjit të na bëjë të aftë në bashkëndarje e vëllazërim për atë që vuan dhe atë që është vetëm. Të lutemi.

L. Për ne: që drita e Krishtlindjes të na hapë zemrën tonë në praninë e Zotit që vepron në jetën tonë e na nxit të jetojmë në gëzim e në qetësi për t’i dhënë një shtytje të re bashkimit vëllazëror. Të lutemi.

M. O Atë i shenjtë: me lindjen e Birit tënd Jezus, ke ardhur për të shpëtuar çdo njeri: bëje Kishën tënde të shpërndajë deri në ekstremin e tokës lajmin e gëzuar të mishërimit, që i gjithë njerëzimi të marrë pjesë në lavdërimin dhe lavdinë e emrit tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

 

***

 

DITA E KRISHTLINDJES – viti B

 

Leximi i parë   Is 52, 7-10

Kur një populli i është hequr liria e tij për shkak të një regjimi të poshtër, dhe kupton që është afër momenti i çlirimit të tij, atëherë ky popull jeton me padurim deri në ditën e çlirimit të tij. Banorët e Jeruzalemit prisnin me padurim ardhjen e atij që sillte lajmin e mirë të paqes.  Edhe Kisha, që jemi ne, pret të njëjtin lajm të mirë.  Hyji tashmë e ka realizuar këtë pritje: Mesia ka lindur mbi tokën tonë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmin e mirë të paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Zoti yt mbretëron!’ Dëgjo! Rojet tua të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin! Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë. Fjala e Zotit. 

 

Psalmi  98

Ref: Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit

——————————————–

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

——————————————–

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

——————————————–

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

——————————————–

Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

——————————————–

 

Leximi i dytë   Heb 1, 1-6

Foshnja që tashmë gjendet në grazhd është fjala më e lartë e Hyjit.  Ky fëmijë që vjen mes nesh, është pikërisht Ai që mbështet botën. Nëpërmjet tij Hyji na zbulon gjithçka. Ky fëmijë fton njeriun të hyjë në marrëdhënie me Hyjin. Për Krishtlindje Zoti na thotë: “Në Jezu Krishtin, Birin tim, do të jem për ty një Atë dhe ti do të jesh për mua një bir”.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është shkëlqimi i lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin! Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjë herë: “Ti je im Bir; unë sot të linda”? Dhe prapë: “Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir”? Dhe prapë, kur përsëri shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!” Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Një ditë e shenjtë, lindi për ne: ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin; sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme.

Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 1,1-18

Për Gjonin ungjilltar Fjala ekzistonte që prej amshimit në Hyjin dhe merrte pjesë në veprën e krijimit.  Erdhi mbi tokë për të kryer misionin që i ishte besuar nga Ati: t’u zbulonte dashurinë e Hyjit njerëzve.  Fjala e Hyjit, veta e dytë e Trinisë së Shenjtë bëhet njeri në kraharorin e Virgjërës Mari, për t’i dhënë atij që e pranon dhe atij që beson në Të, pushtetin për t’u bërë bij të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.  Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

E gjithë jeta jonë është plot me mistere, sepse është plot me Hyjin. Fjala e Hyjit që bëhet njeri bën të dukshme këtë prani që na dhuron shpresë dhe forcë në ecjen e jetës. Ai është në fakt Emanueli, Hyji me ne, që shtyn besimtarin për të pranuar me guxim misionin e tij në botë. Në Krishtin e bërë njeri, Hyji është lidhur pazgjidhshmërisht me natyrën njerëzore, duke u zbuluar lirisht dhe me dashuri dhe duke i hapur njeriut misterin e zemrës së tij. 

Ungjilltari Gjoni përfshin mishërimin e Jezusit në planin e historisë së shpëtimit. Ashtu si nëpërmjet Fjalës së amshuar kishte shpërthyer krijimi i universit, kështu nëpërmjet mishërimit të vetë Fjalës ndodh një krijim i ri: njeriu hyn në jetën hyjnore duke u bërë biri i Hyjit. Marrëdhënia mes Hyjit dhe njeriut që ka qenë ndërprerë si shkak i mëkatit, është shpëtuar prej Krishtit, i mishëruar për ne. Njeriu duke u bërë biri i Hyjit është në gjendje t’i drejtohet Hyjit dhe ta thërrasë Atë; dhe mund të dojë njerëzit e tjerë, sepse janë vëllezërit e tij.  Sot, Krishtlindje, barinjtë shkojnë duke kërkuar Jezusin. Pasi e gjejnë përhapin lajmin me gëzim të madh. Edhe ne sot marrim të njëjtën ftesë për të kërkuar Krishtin, për ta takuar me besim dhe për tua bërë të njohur vëllezërve. Biri i Hyjit ka dëshiruar të jetë drita e vërtetë që ndriçon errësirën. A do të jemi të zotët ta pranojmë këtë dritë dhe t’ua çojmë të gjithë vëllezërve tanë?

 

Lutja e Besimtarëve

M. Hyji është bërë njëri prej nesh, në Krishtin Jezus. Ai mund të kuptojë të gjitha situatat tona, nuk jemi më të vetmuar, për këtë mund t’i drejtohemi atij me besim: Të lutemi së bashku e të themi:

Shpëtoje popullin tënd, o Zot.

L. Për Kishën e shenjtë që të jetë gjithmonë e guximshme në shpalljen e ardhjes së Birit të Hyjit mbi tokë. Të lutemi

L. Për të gjithë besimtarët që të ndjejnë nevojën për të qenë misionarë, për të mos e mbajtur për vete “Lajmin e Mirë” të Jezusit. Të lutemi

L. Që hiri i kësaj dite të shenjtë të mund të sjellë dritë në jetën e atyre që nuk besojnë. Të lutemi

L. Që bashkësia jonë, nën shembullin e Virgjërës Mari dhe shën Jozefit, të mësojë të pranojë hirin e lindjes së Krishtit dhe t’i përgjigjet me jetën.           Të lutemi

M. O Atë i amshuar, që ke vendosur në Virgjërën Mari fronin e Diturisë sate, me ndërmjetësinë e saj dëgjoji zërat tanë: ndriçoje Kishën me dritën e Fjalës së jetës, që nën shkëlqimin e së vërtetës të ecë në plotësinë e misterit tënd të dashurisë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: