Zoti e plotëson planin e vet nëpërmjet njerëzve

Dec 23 • Meditimi i ditës

 23 dhjetor 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mal 3, 1-4.23-24; Ps 24; Lk 1, 57-66)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 1, 57-66

 

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha:

“Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën:

“Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”

62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjellua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Do t`i bashkëngjitem ekzaltimit që e rrethon lindjen e fëmijës së Elizabetës. Do të bëhem i/e vetëdijshëm/e që Zoti e plotëson planin e vet nëpërmjet njerëzve që bashkëpunojnë me të. Hyji e ka dëshiruar fëmijën që quhet Gjon, dhe kjo ka ndodhur.
  • Në kuptimin e shpëtimit te Luka Zoti atë çka vendos këtë edhe me kohë e realizon. Do të lus që të besoj në këtë dhe që të çlirohem nga ankthi.
  • Si e ka ditur Elizabeta që fëmija do të quhet Gjon? A i ka pëshpëritur zëri i vogël? A e dëgjoj këtë zë të ulët që më flet se çka duhet të bëj? Elizabeta dhe Maria kanë qenë “njerëz të rëndomtë” si unë. Zoti edhe mua më flet sikurse u ka folur atyre.

 

Bashkëbisedimi

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia ndaj njerëzve të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »