Përkushtim dhe besë

Dec 24 • Meditimi i ditës

24 dhjetor 2017 – E diela IV e Ardhjes (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sam 7,1-5.8b-12.14a.16; Ps 88; Rom 16,25-27; Lk 1,26-38)

 

Prania e Hyjit

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
Në thelbin e qenies sime,
Pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke e ndjerë veten përnjëmend? I/e pa  brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur apo i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë jam duke ndier përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 1, 26-38

 

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur një grua nga turma bërtiti: Lum barku që të barti, Jezusi u përgjigj: lum ata që e dëgjojnë dhe e mbajnë fjalën e Hyjit. E para prej tyre ishte nëna e tij që tha: më ndodhtë sipas fjalës sate. Këto fjalë i kujtojmë çdo herë kur e lusim Angelus – Engjëllin e Tenzot.
  • O Zot, kjo nuk është një lutje e lehtë. Vetë e ke lutur në Gjetseman i mbuluar me djersë gjak: jo vullneti im, por i yti u bëftë. Ndihmomë që vullnetin tënd ta bëj rregullore të jetës sime.
  • Çfarë do të thonë për mua çështjet e përkushtimit dhe besës?

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, rri pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila do të të besojë gjithmonë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »