Hiri i guximit

Dec 26 • Meditimi i ditës

26 dhjetor 2017 – E marte, Shën Shtjefni, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 6,8-10; 7,54-59; Ps 30; Mt 10,17-22)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
Jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
Në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
Dhe që të jem thjesht me Zotin,
Këtu dhe tani.

 

Liria

Lus për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
Mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur
ta përjetoj dashurinë.
Si ka kaluar dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj avash
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 10, 17-22

 

17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • O Zot, nuk më kanë zvarritur përpara sundimtarëve dhe mbretërve, por ka pasur raste kur jam ndier si dele në mes të ujqërve, dhe thënë në mënyrë metaforike, kam qenë i/e frushkulluar për shkak të besimit tim.
  • Mos më harro, o Hyj, kur jam nën presion. Jepma atë që duhet të them dhe më bëjë mjaftueshëm të guximshëm/e për ta thënë atë.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllje

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »