E kemi shpresën, jo në veten tonë, por në atë çka bën Zoti

Dec 27 • Meditimi i ditës

27 dhjetor 2017, E mërkure, Shën Gjoni ungjilltar, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 1,1-4; Ps 96; Gjn 20,2-8)

 

Prania e Hyjit

I dashur Zot, gjatë kohës që po vij sot te ti
Mbushe zemrën dhe tërë ekzistencën time 
me mrekullinë e pranisë sate.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 20, 1-8

 

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi.

  

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm te Shkrimit Shenjt:

 

  • “Nxënësi që Jezusi e donte” është Gjoni, ungjilltar. Ai nuk është emëruar direkt dhe për këtë arsye angazhohet për mua dhe për të gjithë anëtarët e “Momentit te shenjtë” sepse Jezusi edhe ne na do.
  • Ngjallja është iniciativë hyjnore për ta shpëtuar botën tonë. Hyji depërton në historinë njerëzore dhe asgjë më nuk do të jetë njëjtë. Tani e kemi shpresën, por jo në veten tonë, por në atë çka bën Hyji. Jetojmë në një botë që e provon dhimbjen e lindjes së ngjalljes së re.
  • Do të lus që për këtë të mund të dëshmoj me jetën time.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimit tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mbështetje fëmijërore në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

 
Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »