Kërshëndellat në Kosovë: grishje për ta pranuar Zotin dhe vetveten!
Festa e Kërshëndellave gjithmonë e zgjojnë gëzimin e besimtarëve. Sivjet, ky gëzim është bërë i dukshëm thuajse si asnjëherë më parë në të gjithë Kosovën, posaçërisht në ambientet kishtare, famullitare, duke shfaqur një përkushtim të madhe me dekorimin e këtyre ambienteve. Ishte një zgjim gjithandej i gëzimit krishtëror, si shprehje e përkatësisë së një tradite të gjatë apostolike në trojet tona.
Gëzimi i kërshëndellave u bashkënda me qytetarët e vendit tonë, miq e vëllezër, që i ka dhënë kësaj festë kuptimin e veçantë, të bukur e gjithëpërfshirës, ashtu siç është vetë Lindja Jezu Krishtit. Krishti ka ardhur të bëhet mik i secilit njeri dhe nuk do të pushojë ta kërkojë çdo person derisa të mund t’ia dhurojë dashurinë hyjnore falas. Ardhja e Zotit në historinë e njerëzimit është grishje për ta pranuar Atë, për ta pranuar Dashurinë tij edhe vetveten si dhuratë e Tij.
Kisha jonë, në krye me bariun e saj, Imzot Dodë Gjergji, ka kremtuar me gëzim të madhe, bashkë me të gjithë miq e dashamirë, që sivjet na kanë gëzuar në mënyrë të veçantë, si në pritjen solemne të organizuar në vigjilje të Kërshëndellave, në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, si në meshën e mesnatës në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë.
Festa shijohet më së shumti kur ajo ndahet e festohet me miq e dashamirë, na kanë mësuar të parët tanë. E ne, pasardhësit e tyre, duke dashur që të ripërtërijmë traditën e çmuar që na kanë lanë, kemi dashur që atë ta bashkëndajmë me plotë gëzim me të gjithë, e të tregojmë se e kemi një shtëpi të përbashkët shekullore dhe kështu do të vazhdojmë ta nderojmë të ardhmen e përbashkët.
Kjo e vërtetë u shpalos, në mënyrë të veçantë, në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, në të cilën ishte përgatitur një program i begatë i interpretuar nga fëmijët e famullisë së Prishtinës, nën udhëheqjen kartelistëve e Famullisë. Me recitime e këngë artistike të përzgjedhura, u përçua mesazhi i dëlirë e hyjnor i Kërshëndellave. Fëmijët, në fakt, janë përçuesit më të përshtatshëm të lajmit të mirë që vetë Jezusi foshnje e ka sjellë në botë. Pas këtij programi gjysmëorësh në Katedrale, ky morën pjesë shumë qytetarë të Kosovës, pasoi mesha e shenjtë e mesnatës, në të cilën u shpall lajmi i gëzuar i Lindjes së Jezusit.
Meshën e mesnatës e kremtojë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, në bashkëmeshim me vikarin gjeneral Mons. Dodë Gjergjin, famullitarin e Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, vëllezërit meshtarë që shërbejnë në Prishtinë, vëllezërit salezianë të shkollës Don Bosko në Prishtinë dhe në Gjilan, të shoqëruar me seminaristët dhe ministrantët. Kurse kori i Katedrales, i udhëhequr nga Don Shtjefën Dodes, me këngët tradicionale, popullore shqiptare të Kërshëndellave i ka dhanë hijeshi e solemnitet kësaj meshe.
Në këtë meshë, kanë marrë pjesë shumë miq e dashamirë të kishës sonë, qytetarë të kryeqytetit, personalitete të institucioneve publike, kulturore e mysafirë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë.
Ipeshkvi në homelinë e rastit thekoi rëndësinë e kësaj nate të shenjtë, që e merr një rëndësi të veçantë për ne sivjet, pasi po kremtohen Kërshëndellat në Shenjtëroren e shuguruar Shën Nënë Tereza, në të cilën tashmë kemi reliktin e gjakut dhe dritën e qiriut, të cilën ipeshkvi e kishte sjell nga Kalkuta, gjatë shtegtimit të tij në nëntorin e këtij viti.
Homelinë e plotë, shumë të rëndësishme dhe domethënëse, mund ta gjeni në portalin tonë: http://www.drita.info/2017/12/27/krishtlindja-eshte-rigjetje-e-zotit-dhe-e-vetvetes/
Pas meshe për të gjithë pjesëmarrësit ishte përgatitur verë e vluar dhe çaj në sheshin para Katedrales, tek Tregu u Krishtlindjes, i cili tashmë një muj ka qenë i hapur për çdo ditë për qytetarët.
Mesha e mesnatës u transmetua drejtpërdrejt nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe disa televizione private e lokale, që kanë mundësuar që të shihet e të përcjellët nga të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në gjitha vendet e botës./drita.info
« Krishtlindja është rigjetje e Zotit dhe e vetvetes!* Të jesh i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të pafajshmëve »