Krishtlindja është rigjetje e Zotit dhe e vetvetes!*

Dec 27 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

(Homelia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të Kosovës, në meshën e mesnatës së Krishtlindjes, Shenjtërorja e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, 24 dhjetor 2017)

 

Të dashur vëllezër e motra, miq e dashamirë,

jemi bashkuar sonte në këtë Kishë shenjtërore për t’i festuar, kremtuar dhe celebruar Kërshëndellat, lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe ditën e shpresës sonë.

E veçanta e festës të sivjetëm është sepse po i kremtojmë Kërshëndellat në Katedralen e Kushtuar Shën Nënë Terezës, në prani të gjakut të saj dhe nën dritën e qiriut, që në shtegtimin tim kam ndezur te varri i saj në Kalkuta.

Këto tri elemente, Gjaku, Drita, Kisha na ndihmojnë shumë për ta njohur, për  t’i besuar dhe për ta dashur këtë foshnje, Jezusin, ditëlindjen e të cilit po e festojmë.

Gjaku na kujton se ajo ishte bijë e jona,  njëkohësisht është shpërblim për gjakun e derdhur të martirëve tanë gjatë gjithë historisë.

Drita e qiriut, simbolizon Krishtin, që është Drita e vërtetë që ndriçon jetët tona.

Festimi në Kishën e kushtume Shën Nënë Terezës, na mundëson ta lejojmë atë të na merr për dore e të na çojë te Krishti. S’kemi shembull ma të mirë që na mëson, se si duhet  ta duam Zotin nëpërmjet veprave të dashurisë, sikurse bëri bija jonë, Nënë Tereza.

Uroj që këtë përvojë feje ta ketë secili prej jush, ju këtu të pranishëm e të gjithë njerëzit tanë nëpër botë, të cilët na bashkohen nëpërmjet ekraneve televizive dhe valëve të radiove.

Ardhjen e Mesisë, populli e ka pritë me shekuj. Isaia profet në leximin që sonte kemi dëgjuar, shpallë se populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe… në lindjen e një foshnjë, që do të jetë përgjithmonë Princ i Paqes”. E Psalmisti na fton t’i këndojmë Zotit një këngë të re e ta bekojmë Emrin e tij. Në leximin e dytë, Shën Pali i drejtohej nxënësit të tij Titit, duke i thënë që kjo foshnje na mëson t’i biem mohut mosbesimit dhe dëshirave të shekullit, në mënyrë që të jetojmë në këtë botë urtësisht, drejtësisht dhe për shpirtërisht, duke lavdëruar Zotin e duke i shërbyer njeri-tjetrit vëllazërisht.  

Kurse pjesa e ungjillit të Lukës saktëson rrethanat socio-politike, kohën historike dhe vendin gjeografik të kësaj ngjarje. Po, Luka me ungjillin e tij na ndihmon të hymë në Misterin e kësaj nate, që është një natë kujtimi, gëzimi, hareja, dhe shprese.

Luka ungjilltar na vë par tri gjërave më të mëdha të kësaj nate:

E para fjalë e kësaj nate është “Mos kini frikë! E pse s’duhet të kemi frikë prej Krishtit? Sepse Ai është Biri i Hyjit të gjallë, është Princi i Paqes, s’do t’i bëj keq askujt, por do t’i shpëtoi të gjithë. Ai është alfa dhe omega, rruga, vërteta dhe jeta. Atij i përket toka, qielli dhe çdo krijesë. Mësimi i tij është Lajm i mirë, që na fton në kthimi, besim dhe shpëtim. Vuajtja e tij në Kryq, është shpëtimi ynë, e ngjallja e Tij nga vdekja, fitorja jonë. Pra, ne duhet të druajmë, që mos të biem në tundim, në mëkat e në të keq, por jo të kemi frikë nga asgjë, sepse besojmë që Krishti Zot, është shpëtimtari ynë. 

Këtë gjë nuk mund të themi për “njeriun e kohës sonë”,  sepse ky në mungesë të gëzimit hyjnor dhe të drojës shpirtërore, jeton i frikësuar. Njeriu i sotëm frikësohet thuajse nga gjithçka e çdo gjë: frikësohen prindërit se s’do të kenë dashurinë e fëmijëve të tyre; frikësohet fëmija se s’do të ketë të ardhme për vete, e le më për prindërit e moshuar; të rinjtë frikësohen të martohen, sepse s’kanë guxim të përballen me përgjegjësitë që i ka jeta, fëmija dhe familja; frikësohet i sëmuri që s’do të gjejë shërim e frikësohet i shëndoshi që s’do të ketë gëzim; frikësohet i papuni që s’do të ketë kafshatën e fëmijëve të vet, e frikësohet i punësuari që do ta humbë atë; pushtetarët frikësohen nga padrejtësitë e veta, e disa prej tyre nga drejtësia; disa frikësohen se s’do të kenë pushtet kurrë, e do të tjerë që mund ta humbin në çdo moment. Mbi gjitha, njeriu i sotëm frikësohet nga vdekja. Këndej, ashtu i pashpresë, mundohet ta shtyjë, siç thuhet, edhe najditë.

Ja pse thirrja e korit të engjëjve të qiellit “Mos keni frikë!” në këtë kohë, ku  mbizotëron dyshimi, mosbesimi, mosdurimi, lakmia, mashtrimi, inati, plogështia shpirtërore, dëshpërimi dhe pasiguria, është ngushëllimi më i mirë që mund ta shndërron njeriun e frikësuar e të dëshpëruar në një njeri të shpresës dhe të gëzimit. 

Fjala e dytë e kësaj nate është gëzohuni e galdoni,  sepse lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Ai, është Fjala e Mishëruar e Hyjit të gjallë, e Zotit tonë të dhembshëm dhe të mëshirshëm. Është i Biri i Atit tonë që na do dhe na mëson të duamna falë e na mëson të falim, na ngushëllon e na mëson të ngushëllojmë, vuan në Kryq, e na mëson të përballojmë vuajtjet tona. Këndej, duhet të gëzojmë e të galdojmë, të besojmë dhe të mos ndahemi kurrë nga Krishti, që është gëzimi ynë i vërtetë.

Dhe e treta fjalë që na sjell Luka sonte është, ja si do ta gjeni. Engjëjt iu shpjegonin barinjve, se si do ta gjenin në grazhd, e kjo do të jetë shenja e njohjes. Po ne, që jetojmë 2000 vite pas kësaj ngjarje, ku do ta gjejmë Atë? Ai është i pranishëm në jetët tona, porse s’mund ta gjejmë në gjendje dyshimi e indiference. Atë e gjejmë me fe.

Ne që kemi besuar e njohim, sepse ai na shoqëron gjatë gjithë jetës tonë, e takojmë në sakramente dhe në Fjalën e Ungjillit, miqësohemi me të në Kishë dhe duke ecur gjurmëve të Tija e përshkojmë botën. E gjejmë në jetën e shenjtërve, që na ndriçojnë si dritëza të ndezura në rrugën tonë tek Ai.

Vëllezër dhe Motra,

ne që jemi mësuar të kundrojmë Kryqin dhe të thellohemi në vuajtjet e tija, për dashuri ndaj nesh, e njohim, në të varfrit, e gjejmë dhe e shohim në vuajtjet e të afërmve tanë. Po edhe në ata që na urrejnë, pasi gjithnjë në zemrën tonë tingëllon britma e tij: “Fali, o Zot, se nuk dinë ç’bëjnë.”

Ju ftoj që në këtë natë të shenjtë t’i lutemi Atij, e mbi të gjitha, ta falënderojmë, që na i ka dhanë një zemër për ta dashur vetën, të afërmin, familjen, kombin, botën. E në veçanti, që na ka mësuar ta duam Hyjin, Atin tonë Qiellor.

Dua ta falënderojmë që na falë, mua dhe secilin prej nesh, për fajet edhe gabimet tona;  dua ta falënderoj, që e falë popullin tim, si për mëkatet e së kaluarës ashtu për ato të sotmet. E mbi gjitha që na mësoj të falim fajtoret tanë.

Këndej, sa herë që festojmë, Kërshëndellat, na këndellet shpirtin nga mpirja e mëkati, na këndellet zemrat nga trishtimi, këndellim kujtesën tonë nga harresa. Kjo këndellje na nevojitet pasi,  shpesh herë shohim, që s’ka gadishmëri për kthim e pendimi, që s’i gëzohemi bukurisë së shpirtit tonë, që s’mbajmë mend vetën dhe s’kujtojmë të vërtetën.

E gjithë kjo, na nxit edhe më shumë, që të ftojmë njeriun tonë, në pendesë, në përvujtëri, në falje dhe pajtim. Mbi të gjitha, e ftojmë  në shenjtërim në mënyrë që të jemi të aftë të shohim në çdo njeri vëllain edhe motrën tonë që na do e që e duam. 

Nën dritën e kësaj feje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë dhe arritën të bëhen dritë e pashuar në terrin historik që kaluam (khs. Heb 1,1-2). Nën rrezet e kësaj drite ata arritën ta shihnin rrugën që përshkuan, të na i ndriçojnë shtigjet nëpër të cilat duhet të kalojmë dhe rreziqet nga të cilat duhet të ruhemi. Tani, mbetet përgjegjësia jonë, që këto gjurmë t’i bëjmë të dukshme për pasardhësit tanë. 

Vëllezër e motra,

ne, të bijtë dhe të bijat e popullit tonë, kemi shumë të mira që na mundësojnë të bëjmë të bukur dhe të dobishme kohën tonë, kemi lirinë që mund ta bëjmë të frytshme, kemi paqen që mund ta bëjmë vepruese, kemi përparimin që mund ta bëjmë të dobishëm, kemi shtetin që mund ta bëjmë funksional, kemi mbështetjen e miqve, të cilën s’guxojmë ta humbim kurrë. Kemi edhe shumë të mira të tjera me të cilat mund ta bëjmë kohën tonë të shkëlqejë. Por, e mira më e madhe që na është dhuruar në kohën tonë është Shenjtërimi i Nënë Terezës. Ajo do të mbetet për gjitha kohët burim i pashtershëm frymëzimi, shembulli më i mirë i përmbushjes së dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit, mësuesja më e mirë e bashkëjetesës mes feve të ndryshme, modeli më i mirë që zbardh fytyrën dhe britma më e zëshme e ndërgjegjes sonë.

Me shumë dhimbje, duhet të themi që s’jemi në nivelin e këtyre të mirave, sepse s’po arrijmë t’i përshtatemi kohës që jetojmë, përgjegjësive që i kemi për njërit-tjetrin. E, aq më pak, të jemi në nivelin e kërkesave të dashurisë.

Koha jonë vuan edhe nga unë dhe nga secili prej nesh. Por, më së shumti, ajo vuan nga ata që kanë më shumë përgjegjësi. Është e dhimbshme kur sheh se sa e përçarë është shoqëria politike në tërësi, sidomos të zgjedhurit e popullit dhe ata që i drejtojnë institucionet shtetërore.

Ne presim prej tyre që të diskutojnë me njëri-tjetrin, të diskutojnë për ne. Kurse, ata mundohen të flasin me ne për njeri-tjetrin. Ne presim që të pajtohen për atë që është e mirë për ne. Kurse, ata mundohen të arsyetohen për mospajtimet e tyre. Ne të gjithë, do të donim t’i shihnim se si pendohen e kthehen, falin e pajtohen për të mirën tonë. Kurse, ata na tregojnë pse janë ndarë ose pse janë bashkuar, kush ka faj e kush ka gabuar, kush ka vjedhur e kush ka mashtruar.

Sot, njeriun tonë e shqetëson mosfunksionimi i demokracisë, keqpërdorimi i pushtetit, promovimi i paudhësive, papërgjegjësia në kryerjen e detyrave, shpërndarja e pabarabartë e të mirave të përbashkëta, paaftësia  institucionale  për t’i luftuar dukuritë që e përbuzin dinjitetin tonë kolektiv, atë familjar ose personalitetin e individit.

Duke qenë se kaq shumë ka marrë hov padrejtësia dhe urrejtja, shumëkujt i është zbehur dashuria dhe i është ftohur zemra (khs. Mt 24,12).  Ndaj, lypset që sa më parë të rigjejmë:

  • atë urti, me të cilën kremtonim faljen e gjaqeve, që të falim e të pajtohemi me njëri-tjetrin;
  • atë forcë durimi me të cilën e përballuam dhunën, që ta durojmë njëri-tjetrin;
  • atë gatishmëri sakrifikimi më të cilën fituam lirinë, që të mund t’ia respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit;
  • atë ndjenjë humane dhe shpirt bujarie, me të cilën e përballuam varfërinë, në mënyrë që të mos vuaj askush prej nesh për gjërat e domosdoshme.

 

Motra dhe vëllezër,

Është mirë që, gjatë vitit 2018, do ta shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ai pati guximin të bëjë kthesën e madhe për t’iu kthyer vetes dhe popullit vet; t’i bashkojë në një besëlidhje princërit, fiset dhe bujarët e kombit, për të mirën e përbashkët, për liri dhe për troje; dhe, pa marrë parasysh sfidat e shumta, arriti ta ruajë miqësinë me pjesën qytetëruese të botës. Këndej, lirisht mund të themi, që mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve, që ka pasur populli ynë.

Me këtë rast, i ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Tij të reflektimit, të guximit e të urtisë. Për ta rikthyer besimin e humbur, për të siguruar paqen politike e drejtësinë sociale dhe bashkëjetesën ndërfetare. E të mos hezitojnë ta ripërtërijnë miqësinë me kombet dhe vëllazërinë mes vete. Kemi nevojë për shërimin tonë shpirtëror, kulturor, shoqëror dhe politik, nëpërmjet një besëlidhjeje të re, në emër të dashurisë, të lirisë dhe të paqes që e gëzojmë.

Me dashurinë ndaj Zotit, në emër të përgjegjësisë që ndiej për kohën tonë që po e jetojmë dhe për të afërmin me të cilët duhet ta bashkëndajmë këtë dhuratë, ju siguroj që s’do të pushojmë kurrë duke iu lutur Zotit tonë, Jezu Krishtit, që t’ju forcojë në qëndresë, në duresë dhe në dashuri.

Uroj që paqja e Krishtit të depërtojë në zemrën e secilit prej jush, të mbretërojë në familjet tuaja dhe të lulëzojë gjithkund në vendin tonë, e kudo në botë.

Për shumë mot Krishtlindja! Bekime e begati në Vitin e Ri 2018!

*Titulli është i redaksisë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »