Qëndrim i (pa)përgjysmuar

Dec 29 • Meditimi i ditës

29 dhjetor 2015 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2, 3-11; Ps 95; Lk 2,22-35)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty, 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se çfarë jam.

Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?

Krejt hapur do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 2, 22-35

 

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të,28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                    Se a rritemi, zhvillohemi apo biem, dobësohemi varet nga ne. Nëse njëherë e njohim Jezusin s`do të duhej të kishte vend për gjysmakësi, qëndrim të përgjysmuar. Ne mund ta pranojmë ose ta refuzojmë atë.

·                    O Zot, te Simoni plak po e shoh shpresën e shpërblyer bollshëm. Vitet e pritjes nuk e kanë dobësuar besimin e tij. Shpresa dhe pritja e tij e kanë mbajtur atë gjallë kundruall nxitjeve të Hyjit, i gatshëm për t`i dëgjuar ato kur vijnë. Më jep hirin që të mund të mësoj prej tij.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »