Grimca vërtetimi

Dec 30 • Meditimi i ditës

 30 dhjetor 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2, 12-17; Ps 95; Lk 2, 36-40)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga frika dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 2, 36-40

 

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.
39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.
40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Merre me mend gëzimin e Anës! Kaq shumë vite me besnikëri kishte jetuar në tempull. Njerëzit e shihnin, ishte “pjesë e inventarit të familjes.” Ajo në mënyrën e vet është grua e shenjtë. Dhe pastaj vjen ky moment ngazëllimi kur e njeh Zotin që është i pranishëm në formë njerëzore. I flet çdonjërit për këtë. Edhe unë duhet të flas për Hyjin të lindur në botën e sotme.
  • Maria duhet të ketë reflektuar pafundësisht në zemrën e vet në lidhje me fëmijën e vet. Është aq i thjeshtë: ha, fle, luan, qesh dhe qan. Mëson shpejtë, është fëmijë i bekuar. Por a është premtimi i engjëllit i vërtetë: se ai është në të vërtetë Biri i Hyjit? Si është kjo e mundur? E megjithatë, ka grimca vërtetimi: bekimi i Elizabetës, engjëjt dhe barinjtë, mbretërit nga lindja, dhe tani Simoni dhe fjalët e Anës. Marisë i është dhënë mjaftueshëm që të mund të besojë. Kështu edhe ne.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »