Zyra e Ipeshkvit të Kosovës: mjetet e komunikimit të mos përdoren për rrënimin e tolerancës ndërfetare te ne!
Deklarata e plotë nga Zyra e Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjegji:
Deklaratë për Media
Ne që në shekuj kemi jetuar në errësirën e mosinformimit, tani po e gëzojmë mundësinë e mjeteve të reja të komunikimit shoqërorë, nëpërmjet të cilave shumëkujt i është dhënë mundësia të bashkëndajë mendimin edhe pamjen e vetë me publikun e gjerë.
Për fat të keq, shpeshherë kjo mundësi është përdorur me synime qëllimkëqija, duke shpërndarë lajme të rreme ose për të degraduar njëri-tjetrin.
Mirëpo, kur këto mjete përdoren me qëllim që të rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare te ne, siç ishte rasti me meshtarin tonë të nderuar, Don Shan Zefin, atëherë ky keqpërdorim merr përmasa të një të keqe të madhe mes nesh. Për këtë arsye, kjo dukuri, kërkon një përgjigje adekuate nga institucionet përgjegjëse dhe gjithë shoqëria jonë.
Me këtë rast, i ftojmë të gjithë poseduesit e këtyre mjeteve, që para se të publikojnë ato, të kujdesen për të verifikuar burimin dhe vërtetësinë. Njëkohësisht, i ftojmë të gjithë përdoruesit e këtyre mjeteve, të jenë vigjilent ndaj publikimeve të pavërteta e të mos bien pre e keqpërdorimeve të tyre.
Zyra e Ipeshkvit
Prishtinë, 31 dhjetor 2017
« Familja e Shenjtë – model i çdo familjeje! T`i respektojmë të moshuarit dhe të mësojmë prej tyre! »