Bibla e At Zef Pllumit

Jan 2 • Kulturë

(At Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue, ShB 55, Tiranë, 2006)

 

Nga Xhavit Beqiri

 

Atyne që vdiqën njerz,

atyne që qëndruen njerz

gjatë asaj periudhe të vështirë

 të cilën njeriu u shndrrue në kafshë pune.

Me këtë përkushtim e fillon At Zef Pllumi librin e tij Rrno vetëm për me tregue, i cili ma shumë sesa nji ditar autobiografik, ma shumë sesa nji “libër kujtimesh”, asht nji histori e shkëlqyeshme e Shqipnisë së gjysmës së dytë të shekullit XX, e asaj Shqipnie të izolueme nga bota e të shkretnueme nga varfnija, të cilën na “kosovarët”, i madh e i vogël, e idealizojshim si nji “zojë e randë” që s’ka çka i ban kush mbi këtë dhé.

Natyrisht, ky libër i At Zefit ia përplas surratit tonë shqiptar medaljen e vërtetë të një pjese të historisë sonë, medaljen e errët, pikërisht atë ma tragjiken, ma absurden, të cilën duhet me e njoftë në krejt marrëzinë e vet, edhe pse na turpnon keq para vetes e para të tjerëve.

Rrno vetëm për me tregue ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë përfshin vitet 1944 – 1951, e dyta vitet 1950 – 1967 dhe e treta 1967 – 1989.

Autori nis rrëfimin e tij nga Vjeti 1944 dhe fill pastaj sjell atmosferën e zymtë e të ftohë në Shkodrën e 28 Nandorit 1944 (Kisha në kopsht të Gethsemanit). Të nesërmen, më 29 nandor, “nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombëtar, që valëvitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq”.

“Flamujt e shumtë trengjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shettnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli shqiptar i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robni të ré të popullit shqiptar!” (fq. 21).

Robnia e ré u bë edhe më e qartë në Vjetin 1945, kur nisën arrestimet masive të klerit katolik dhe të gjithë atyne që nuk i pranonin si çlirimtarë “partizanët me kapota”. 

 

A e kemi pastrue ndërgjegjen vërtet na shqiptarët?!

Në parathënien e botimit të dytë të kësaj vepre, shkrimtari Ismail Kadare pohon:

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.

Kjo trilogji kujtimesh është memorial i madh. Duke e kryer atë, At Zef Pllumi ka plotësuar në radhë të parë amanetin më të shenjtë që i është besuar: atë të bashkëvuajtësve të vet. Duke rrëfyer atë që ata s’arritën ta rrëfejnë dot kurrë, At Zef Pllumi e ka bërë më të lehtë lëndinën mbi trupin e tyre, siç thuhet në formulat e motshme. E bashkë me këtë, më dëshmitë e kësaj trilogjie e të librave të tjerë të tij për martirët e katolicizmit shqiptar, si At Anton Harapi, At Pal Dodaj, At Vinçenc Prennushi, At Martin Sirdani, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, At Gjon Shllaku, e të dhjetra shqiptarëve të tjerë të besimit musliman e ortodoks ose të shqiptarëve të tjerë atetistë, që vuajtën bashkërisht në burgjet e komunizmit, At Zef Pllumi kreu një mision të madh përpara historisë dhe ndërgjegjes shqiptare”[1].

Tue tumirë përgjithësisht këtë konstatim të Kadaresë, due me u ndalë pak te kjo sintagma e fundit – ndërgjegjja shqiptare. Vërtet, a e kemi kemi pastrue na shqiptarët këtë ndërgjegjen tonë, e cila ma tepër se gjashtë dekada ka qenë e qullosun nga brumi i mykun i historisë së partisë e të telallëve të saj. A e kemi me gjithë mend pendesën tonë karshi krimeve çnjerëzore që u janë shkaktue familjeve të tana shqiptare nga vetë shqiptarët, të cilët të verbuem sysh u kapën si i mbytuni në fijen e kashtës mbas ideologjisë më antishqptarë që ndonjihere ka sajue mendja njerzore – mbas ideologjisë së komunistave internacionalistë që jo se nuk njohin babë as Zot, po që në emën të luftës së kllasave deshtën me e shfarosë gjithçka që qe shqiptare tue rrënue traditën, tue djeg kishë e xhami, tue vra e persekutue intelektualët e partiotat më të dalluem të kombit, të cilët nuk pranuen që flamurin kuq e zi me e nrrue me ngjyrat kuq, blu e bardhë.

At Zef Pllumi, si i gjithë brezi i tij, ka bâ një jetë të randë duke e jetue në botën e këtejme Botën e Ferrit. Hoxha me lakejt e vet e degdisi pjesën ma të shnoshë të inteligjencisë shqiptare nëpër kazamatet dhe kooperativat trushpërlarëse të “Shqipërisë socialiste”, nëpër kënetat e mbytuna nga balta e gjallë dhe nëpër viset e skajshme të vendit, ku ligjin e banin analfabetët e shtetit, me qëllim që t’ia humbin fillin përjetë të jetëve mendimit kombëtar shqiptar, me qëllim që njeriu i ri ta shohë diellin nga Moska e nga Beogradi e jo andej kah e ka lanë i lumi Zot.

Tani, kur ajo gjeneratë brilante e njerëzve të përkushtuem për fe e atdhe s’asht mâ, tani, kur opiumi marksist-leninist-stalinist-titist… ka nisë me e lëshue kadale farën shqiptare, po dalin përplot përdëllestarë që po i vajtojnë me lot krokodili edhe At Zef Pllumin, edhe At Gjergj Fishtën, edhe At Anton Harapin, edhe At Vinçenc Prennushin… Mos me i numrue edhe tjerët, se vargu i tyne asht i pasosun!

Njeriu evoluon. S’ka fjalë! Ndodh që njerëzit edhe pendohen për krimet që kanë krye, ose, në rastin mâ të butë, që nuk i kanë kundërshtue nga frika se mos e pësojnë edhe vetë. Por, që të pendohen komunistat për të zezat që kanë bâ, nuk mâ kap rradakja. Jo, sepse komunistat e dirigjuem nga komisarët e ardhur nga Jugosllavia krimet i kryen me vetëdije të plotë. Ata i likuiduen të rijtë e të rejat shqiptare në mënyrë sistematike, me plan të detajuam, pa iu bërr syni vërr. Pra, e dijshin fare mirë se çka po bâjnë. Nuk ishte punë axhamish që ecin pas pushtetarëve me shpresë se marrin ndojë kockë. Ishte punë e stisur hollë, e menueme dhe e bashkërendueme në gjithë hierarkinë e shtetit. Prandaj, partizanët me yll të kuq në ballë, dhe ekzekutorët tjerë që erdhën pas tyne, nuk qenë vetëm tog pushkatimi, po edhe instrument i makinerisë së mprapshtë të trunit të regjimit hoxhist. Nuk pat rastësi në ato punë, nuk pat stihi. Jo, se shteti nuk punon pa plan!

Vrasja ishte e paramendueme dhe synonte me arritë nji efekt: zhveshjen e shqiptarit nga uni i vet, shfytyrimin dhe shformimin e karakterit të tî krenar e të paepur, përuljen dhe poshtnimin e tij, tue e bâ të varun me uri e me skamje të paimagjinueshme. Në nji farë mase, këtë efeket edhe e ka arritë!

Një pjesë jo e vogël e krijuesve dhe e studiuesve tanë i kanë thurë himne po këtij regjimi. Një pjesë thonë se janë pendue, një pjesë e kanë zgjedhë heshtjen. Ndonjë tjetër nuk shfaq shenja se ka heqë dorë nga bindjet e mëparshme. Secili në ndërgjegjen e vet!

 

… mizore dhe e turpshme!

 

Libri i At Zefit e zhvesh nga petku i demagogjisë propagandën e komunistave për kinse përparimin e pozitës së femnës shqiptare në Shqipinë e kohës. Tregimi për Sosjen, për Lenën Y dhe për shumë femna të tjera që tregtoheshin si mall i zakonshëm na bân me kuptue sa e skëterrshme ka qenë jeta e femnës shqiptare, sa i mjerë fati i tyne i zi.

Dimensionin e absurdit të shoqninsë shqiptare të asaj kohe e shpalosin këta pak rreshta, që rrëfejnë mënyrën se si e përjetuen komunistat shqiptarë vdekjen e Stalinit:

“Kur vdiq, si t’u shembte bota. Ishin marrë masat mâ të rrepta ushtarake. Vendi u mbulue në zí. Komunistat kjajshin me të vërtetë, se pritshin shka po ndodh e nji pjesë tjetër kjante për servilizëm, sepse propaganda komuniste deri atê ditë e paraqiste sikur ai të kishte në dorë rruzullin mbarë e as dielli nuk mund të bante dritë pa tê. Tirani shqiptar u ul në gjuj para statujës së tij në sheshin kryesor (ku sot gjindet Skanderbegu) dhe u detyrue me u ulë i gjithë populli. Shumë vetë e fituen burgun në këtë rasë sepse vunë buzën në gaz kur tjerët vajtojshnin. Stalini vdiq dhe bota po rrotullohej si gjithmonë, as dielli nuk u shkimb. Atje në Kremlin, në vend të tij hipi nji tejtër zot, ndërsa të dekunin e balsamosën dhe, mbrenda njaj arke të kristaltë, e vunë aty në sheshin qendror. Feja e ré e komunistave të pafe nuk mund të rrinte pa ritet fetare të féve të vjetra”[2].

Në faqen 15 të librit, “mbas atij udhëtimi të gjatë e të vështirë”, te Ura e Ngushtë, At Zefi i drejtohet Lexuesit dhe ia rikujton se ngjarjet që “ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje njaj propagande politike, por përshkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipní për gati 50 vjet”. Masandej, tue i hedh në letër meditimet e veta, shkruen:

“Shumkush, për mos me thanë “gjithkush”, mendon se i jep dishka të ré botës, njerzimit! Kurrgjâ e ré nen kët diell! Ndërsa ujët rrjedh, bota po aty. Kur po lexoj Biblën, o kur po kundroj piramidat atje në shkreti, pves: si asht e mundun që njeriu i shek. XX, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve përpara?”  

Njeriu i shekullit XX pa fije dyshimi qe shumë barbar. Kujtoni dy luftat botërore, çmenditë e fundshekullit në ish-Jugosllavi, tmerret e vendeve të shtypura nga diktatura komuniste në vendet e ish-Bllokut të Varshavës, tanë ato lufta të vogla e të mëdha në mbarë globin. At Zef Pllumi, në tokën e tij, e jetoi Ferrin e Dantes. U burgos dhe përjetoi torturat të llojllojshme, pa vdekjen e ngadaltë të miqve, shuarjen e revistave kulturore, gjykimin e gjithë atzne njerëzve të pafajshëm. U lirua nji kohë. Prapë u burgos… Njohu nji kalvar mizor vuejtjesh e sakrificash nëpër burgjet e Shqipnisë, mandej lirimin, miratimin, mirënjohjen… Po skepcën e habinë i mori me vete: “Si asht e mundun që njeriu i shek. XX, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve përpara?”, – pyet ai. E kush munden me iu përgjegj?! Kushedi, mbase njeriu e ka të shkrueme të jetë barbar, se gjithë këta shekuj të kaluem ô dasht me e fisnikrue sadopak qenien e tij. Por, po del se vrulli i përparimit teknologjik nuk mundet me u ndjekë me hapa të njajtë edhe nga përparimi shpirtnor, human. Në këtë domen, njeriu po ec ma ngadalë, për mos me thanë po rrin në vend!

At Zef Pllumi kërkon të falun që s’asht shkrimtar, meqë “ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue”. Une po bâj replikë me tê dhe me ata që mendojnë se At Zefi s’asht shkrimtar. Modestia asht virtyt i naltë, po autori i veprës Rrno vetëm për me tregue asht rrëfimtar i lindun. Tregimi i tij depërton te të gjithë, komunikon edhe me akademikun, edhe me njeriun e degdisun në skaj të Shqipnisë. Kudo që shkruhet e flitet shqip, fjala e urtë e At Zefit gjen konak. Se asht fjalë e urtë shqipe që na e tregon pa zbukurime nji pjesë të historisë shqiptare, ashtu siç ka qenë, mizore dhe e turpshme!

“… kujtimet e At Zef Pllumit funksionojnë si homazh për viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri”[3], pohon studiuesi Aurel Plasari, i cili gjykon se “një shumice shqiptarësh do t’u hyjë në punë kjo dëshmi për ta kuptuar se mohimi i së kaluarës – kulti i harresës – është një nga mënyrat më perfide për të përligjur a posteriori gjithë sa ka pasur kriminale një regjim”.

At Zef Pllumi e kreu amanetin e të gjithë atyne që i lanë eshtnat nëpër kazamatet e Enverit dhe të shefave të tij në Beograd, në Moskë e gjetiu. Ai na dha një mundësi të mrekullueshme për me e pâ vetveten të atillë qysh jemi dhe me nxjerrë mësime për të ardhmen. Ai e lexoi Biblën e vet dhe eci pas udhës së saj. Lum Ai.

_______________________________________

[1] Parathënia e botimit të dytë e shkruar nga Ismail Kadare, fq. 7

[2] At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, fq. 319, Tiranë, 2006

[3] Parathënia e botimit të parë e shkruar nga Aurel Plasari, e risjellë në fq. 11 të botimit të dytë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »