“Kush je ti?”

Jan 2 • Meditimi i ditës

2 janar 2018 – E martë, Shën Bazili e Gregori Naziancen, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2, 22-28; Ps 97; Gjn 1, 19-28)

 

Prania e Hyjit 

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe në mënyrë të padukshme.
Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.
Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Po edhe të isha fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençurish.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj nga prapa,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 1, 19-28

19 Dhe, ja, dëshmia e Gjonit!

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” 20 ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

21 “Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

22 Atëherë i thanë:

“Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

23 Ai tha:

“Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

‘rrafshoni udhën e Zotit!’

siç tha Isaia profet.”

24 Disa prej të dërguarve ishin farisenj. 25 Ata e pyetën:

“Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni u përgjigj:

“Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. 27 Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

28 Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit  Shenjt:

  • Pyetja: “Kush je ti?” mund të shtrohet në disa mënyra. Ashtu siç e dëgjoj atë në lutje nuk është pyetje e pakëndshme: “Kush mendon se je?”, por një pyetje që e bën dikush që më njeh, dashuria e të cilit përshkon jetën.
  • Gjon Pagëzuesi nuk kishte iluzione: ai ishte një njeri i përvuajtur, i cili e thoshte të vërtetën edhe atëherë kur ishte i vetëdijshëm se nuk po dëgjonte askush.

 

Bashkëbisedimi 

Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »