Nevoja për ta njohur Zotin

Jan 3 • Meditimi i ditës

3 janar 2018 – e premte, Emri tejet i shenjtë i Jezusit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,29-3,6; Ps 97; Gjn 1, 29-34)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejt me ty, 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
Lexoje tekstin disa herë.

 

Gjn 1, 29-34

 

29 Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha:

“Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!

30 Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Pas meje vjen një njeri,

i cili është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’

31 Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Gjoni dëshmoi edhe:

“E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ 34 Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gjon Pagëzuesi ishte në gjendje të shihte kush ishte Jezusi, sepse ishte i vetëdijshëm për veten dhe misionin e vet. Më ndihmo, o Zot, ta njoh nevojën për ty, që të mësoj të mbështetem në ty dhe të drejtohem ty me besim.
  • Jezus, ndërsa e shikoj jetën tënde zbuloj ç`do të thotë të jetosh në harmoni me Hyjin dhe njerëzit e tjerë. Ti e merr mëkatin e botës dhe më fton të jetoj si ti, duke më shëruar nga gjithçka që mund të më frenojë, duke më lejuar që t`i largoj pengesat.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »