Kë po e kërkoj?
4 janar 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Gjn 3, 7-10; Ps 97; Gjn 1, 35-42)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.
E marr me mend se gjithçka rreth meje,
ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,
rrezaton praninë e Hyjit.
Liria
O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.
Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.
Gjn 1, 35-42
35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, 36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha:
“Ja, Qengji i Hyjit!”
37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën pas Jezusit. 38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti:
“Çka kërkoni?”
Ata iu përgjigjën:
“Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?”
39 “Ejani e shihni!” ‑ iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë.
40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nisën pas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. 41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha:
“E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!”
42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha:
“Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër‑Shkëmb].
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Gjon Pagëzuesi ishte i gatshëm t`i linte dishepujt e tij të shkonin: e dinte se identiteti i tij nuk qëndron në faktin se sa nxënës/ndjekës kishte. Pa marrë parasysh se sa shumë ngushëllimmund të kem nga miqtë personalë do të lutem të kem lirinë që kishte Gjon Pagëzuesi: të kem parasysh qëllimin e jetës.
- Do t`i lejoj Jezusit të më pyet: “Kë po e kërkoj?”, “Çfarë po dëshiroj?” Do t`i flas me ndershmëri duke ia shpalosur atë që kam në zemër. Dhe ndërsa zbulohen ëndrrat e mia, i lejoj të më bekojë dhe të më ftojë t`i afrohem më shumë.
Bashkëbisedimi
Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.
Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty.
Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.