Dijetarët: Kemi ardhur për ta adhuruar Zotin!

Jan 5 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e Dëftimit të Zotit (A) – 6 janar

 

Leximi i parë   Is 60, 1-6

Jeruzalemi është paraqitur si drita që kundërshton errësirën, pikërisht sepse në të shkëlqen drita e Zotit. Drejt Jeruzalemit, aty ku banon drita e Zotit, udhëtojnë të gjithë popujt.  Sot është Kisha që ka këtë detyrë, të jetë e varfër dhe e domosdoshme si foshnja në Betlehem, për të ndezur në qiell një yll dhe për të udhëhequr të gjithë njerëzit drejt kësaj foshnje.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd. Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 72

Ref: Do të lavdërojnë, o Zot, të gjithë popujt e botës

——————————————————

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd

dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi

e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

——————————————————

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej lumit e deri në skajin e botës…

——————————————————

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve

dhurata do të sjellin,

mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,

të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien,

e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

——————————————————

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,

të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,

dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

——————————————————

 

Leximi i dytë    Ef 3, 2-3.5-6

Mister do të thotë plani i shpëtimit të Hyjit realizuar nga Krishti në historinë tonë. Shën Pali përshkruan këtë plan duke thënë që do të marrin shpëtimin e Krishtit jo vetëm hebrenjtë, por edhe të gjithë popujt paganë, që më parë ishin të përjashtuar nga besëlidhja me Hyjin. 

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

E pamë yllin e tij duke lindur, dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mt 2, 1-12

Paganët janë të tërhequr drejt dritës së Jezusit Mbret.  Nuk takohet më Shpëtimi në Jeruzalem, por në Betlehem.  Dijetarët e lënë veten e tyre të udhëhiqen nga ylli deri në Betlehem. Ndërsa Herodi dhe kryepri-ftërinjtë hebrenj kërkojnë të zhdukin foshnjën e Betlehemit.  Kështu sot ashtu si dje, shpesh janë të tjerët jo të krishterë që rinjohin Jezusin si Mesia. 

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”. Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusa-lemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehe-min e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: ‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popu-llin tim, Izraelin’ ”. Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori he-time prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërki-me rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëro-ni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.”  Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Dëftimi përmbledh në vetvete misteret e shfaqjes së Zotit: adhurimin e Dijetarëve, Pagëzimin në Jordan, mrekullinë e parë në dasmën e Kanës. Dëftimi është festa e thirrjes së njerëzve drejt besimit.  Fëmija Jezus i dëftohet botës si Shpëtimtari i vetëm, dhe pranohet nga njerëzit që përfaqësohen nga dijetarët që shkojnë në Betlehem. 

Dijetarët u udhëhoqën nga një shenjë e ndritshme drejt Jezu Krishtit dhe arritën tek ajo foshnje, të cilës i ofruan si dhuratë ar, kem dhe mirrnë duke njohur në Të: mbretin e historisë (ar), Hyjin e krijimit (kem), njeriun që do të vuajë dhe do të vdesë për shpëtimin e të gjithëve (mirrnë).  Ata na tregojnë se të gjithë popujt mund të hyjnë në rrugën e shpëtimit.  Sjellja e Hyjit që pranon të gjithë njerëzit na fton të pranojmë njerëzit e të gjitha kulturave dhe me mentalitet të ndryshëm për të ndërtuar një familje të vetme. 

Dëftimi është edhe festa e misionit.  Secili prej nesh është thirrur të bëhet ylli që shoqëron vëllain në djepin e Jezusit. Të nxitur nga fjalët e Isaisë, mund të vishemi me dritë për të pranuar dritën që vjen në botë dhe për të ndriçuar veten tonë dhe ata që lodhen për besimin. Festa e dëftimit na kujton se Hyji nuk është larg, por u shfaq praninë e tij atyre që janë të vëmendshëm për të njohur shenjat e pranisë së tij. Dijetarët e shenjtë ndërmjetësofshin për ne hirin për të qenë të vëmendshëm ndaj asaj që Shpirti i sugjeron zemrës sonë për të qenë adhurues të Hyjit të vërtetë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, të bashkuar si familja e Zotit në ditën që Jezusi u dëftua në botë, t’i lutemi Zotit, që të dimë ta njohim dhe ta pranojmë në jetën tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Shkëlqeftë mbi ne drita jote, o Zot.

 

L. Që Ati i Shenjtë, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët të jenë udhëheqës të matur dhe pikë referimi për ata që kërkojnë Zotin. Të lutemi.

L. Për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, që të dinë gjithmonë të drejtojnë shikimin drejt Hyjit, duke lënë të drejtohen nga ai, ashtu si Dijetarët nga ylli. Të lutemi

L. Për fëmijët që të jenë të respektuar në dinjitetin e tyre dhe në të drejtat e tyre: që të mund të kenë një familje, dashuri, bukë për të shuar urinë, kohë për të studiuar e luajtur. Të lutemi

L. Që ylli që tregon Jezusin, fjala dhe buka e jetës, të na udhëheqë në ecjen e ekzistencës sonë. Të lutemi

M. O Hyj, Ati ynë, që ke dërguar në botë Birin tënd, drita e vërtetë që ndriçon njerëzit, bëj që me jetën tonë të përforcojmë dhuratën e fesë që na ke dhuruar. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »