“Eja e shih!”

Jan 5 • Meditimi i ditës

5 janar 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 3, 11-21; Ps 99; Gjn 1, 43-51)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Do të gjej strehim te zemra jote të butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? Jo i/e brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar
E pranoj atë çfarë njëmend ndiej.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 1, 43-51

 

43 Të nesërmen Jezusi vendosi të shkojë në Galile. Takoi Filipin dhe i tha:

“Eja pas meje!”

44 Filipi ishte nga Betsaida, prej qytetit të Andreut e të Pjetrit.

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha:

“E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.

“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” Sa shpesh i kam kategorizuar njerëzit duke shikuar nga lart gjininë, origjinën, racën ose familjen e tyre?
  • Natanaeli ka mundur të humbiste mundësinë për ta parë Shpëtimtarin po të mos kishte qenë thirrja e butë e Filipit: eja e shih!
  • Shpëtomë, o Zot, nga budallallëku i atyre që fryhen, që bëhen se janë të zgjuar duke i përbuzur të tjerët. Bëj që të mund ta ndjek sjelljen e Filipit, dhe të të kem ty para sysh.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri për ty.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »