Ti je biri i im i dashur!

Pagëzimi i Krishtit – viti B

 

Leximi i parë   Is 55, 1-11

Profeti Isaia na fton të shuajmë etjen, pra të marrim pjesë në të mirat e Besëlidhjes së Re nëpërmjet fjalës së Hyjit. Na thërret t’i afrohemi Zotit me besim, sepse Ai është i gatshëm të na pranojë dhe të na mbushë me të mirat e tij. Duhet të jemi absolutisht të sigurtë që fjala e tij është e vërtetë dhe kryen gjithmonë atë për të cilën është dërguar.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë edhe ata që s’kanë para!  Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht!  Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë?  Nëse më dëgjoni mua do të hani ç’ka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme!  Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!  Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.  Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë.  Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit që ty të madhëroi!  Kërkojeni Zotin derisa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër!  Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.  Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia-thotë Zoti.  Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e miajanë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja!  Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  Isaia 12, 2. 4-6

 

Ref: Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

———————————

Qe, Hyji Shëlbuesi im,

Kam besim e nuk kam frikë,

Sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,

Ai është shpëtimi im.

———————————-

Falenderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

Shpallni ndër popuj veprat e tija,

Kumtojeni madhërinë e Emrit të tij

———————————-

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,

Le ta marrë vesh bota mbarë!

Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,

sepse i madhërishëm është në mesin tuaj

Shenjti i Izraelit!

———————————–

 

 

Leximi i dytë   1 Gj 5, 1-9

Ungjilltari Gjon i bën dëshmi Fjalës së Jetës, domethënë Jezu Krishtit, i cili nga amshimi jeton afër Atit dhe në plotësinë e kohëve ka zbritur mbi tokë që njerëzit të mund të braktisnin errësirat dhe të ecnin në dritë.  Gjoni na kujton se Krishti i ka dhënë trefish dëshminë Atit të tij: në ujin e Pagëzimit, në gjakun e kryqit dhe në shpirtin e Rrëshajave. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit.  Kush do prindin, do dhe të lindurin prej tij.  Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija.  Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit.  Urdhërimet e tija nuk janë të rënda.  Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën.  Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë!  Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?  Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti.  Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak.  Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta.  Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku.  Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme.  Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe.  E dëshmia e Hyjit është ajo që i ka dhënë Birit të vet.  Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.

Aleluja

 

 

Ungjilli    Mk 1, 7-11

Gjon Pagëzuesi pagëzon në ujrat e Jordanit ata që dëshirojnë dhe mes tyre paraqitet edhe Jezusi, mbi të cilin, ndërsa po pagëzohej, zbret Shpirti Shenjt në formën e pëllumbit.  Ati dhe Shpirti Shenjt i shfaqin botës hyjninë e Jezusit që fillon misionin e tij në botë.  Pagëzimi i pastrimit nga Gjoni ka arritur plotësinë në pagë-zimin e Jezusit në Jordan nëpërmjet ujit dhe Shpirtit Shenjt. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë Gjoni, në predikimet e veta, thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandalëve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir – Djali i dishirit! Ty të miratova!”. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Pagëzimi i Jezusit na trondit. Ai që nuk njihte asnjë lloj mëkati kryen një veprim pendese publike. Pagëzimi i tij nuk është si pagëzimi ynë që e kremtojmë për t’u bërë krijesa të reja duke u zhytur në vdekjen dhe ngjalljen e Tij.  Pagëzimi i Tij është shenjë e shfaqjes së misionit të Birit të Hyjit që vjen të na çlirojë përfundimisht nga mëkati, për të na bërë një popull të ri. Shpirti Shenjt i zbritur mbi Jezusin do të mbetet gjithmonë në Krishtin dhe në Kishën e Tij.

Leximi i parë na shfaq misionin e Krishtit, që na ushqen me bukën e jetës së tij, të flijuar për ne. Në Pagëzim Jezusi bëhet solidar me të gjithë njerëzit e historisë: edhe pse jo mëkatar, Ai vihet në rresht me mëkatarët. Ai nuk rrëfen mëkatet e tij, por merr mbi vete mëkatet tona. Ai pranon mëkatin e të gjithë botës dhe e shkatërron me vdekjen dhe ngjalljen e tij.

Pagëzimi i Zotit na fton të rizbulojmë se pagëzimi ynë na bën të hyjmë në vdekjen e Jezusit dhe na bën të dalim fitimtarë në ngjalljen e tij.  Me anë të pagëzimit na është shlyer mëkati i rrjedhshëm, njolla që na ndalon për të qenë të lirë. Krishti na çliron nga kjo dobësi: bëhemi të aftë për të dashur. Ja çfarë ka ndodhur ditën e pagëzmit tonë, edhe pse nuk e kemi vënë re, edhe pse ishim shumë të vegjël. Tashmë jemi rritur, tani jemi të vetëdijshëm. Siç thoshte Shën Ireneu:“O i krishterë, bëhu ai që je!”.  

Sot secili prej nesh mund të ridëgjojë për vete fjalët e Hyjit, i cili na deklaron: ti je biri im i dashur.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Ati i ka zbuluar botës shenjtërinë dhe misionin e Birit. Nëpërmjet Kishës ai vazhdon të thërrasë çdonjërin prej nesh dhe të na njohë në Jezusin, shpëtimtarin e vetëm të botës. T’ia drejtojmë Atit lutjen tonë.

Na shpëto, o Zot.

L. Për Kishën: që të sjellë gjithmonë në botë mesazhin e shpëtimit të Krishtit. Të lutemi.

L. Për të pagëzuarit, për prindërit dhe për nunat që takimi me Krishtin në ditën e Zotit të mbështesë dëshminë e tyre të fesë në Hyjin Atë që na ka krijuar, në Krishtin që na ka shpëtuar dhe në Shpirtin Shenjt që na ka shenjtëruar. Të lutemi.

L. Për katekumenët: që të jenë të mbë-shtetur në këtë ecje drejt sakramenteve të jetës së krishterë nga lutja e bashkësisë. Të lutemi.

L. Për të varfërit dhe të vuajturit: që të mund të rinjohin në ne shenjat e dashurisë dhe të provanisë së Hyjit. Të lutemi.

L. Për ne: që Pagëzimi që kemi marrë të shfaqet në jetën e të gjitha ditëve në nivel personal dhe shoqëror. Të lutemi.

M. O Atë, që në ujin e Pagëzimit dhe në lyerjen e Shpirtit bën që të tingëllojë zëri yt që fton për të ndjekur Jezu Krishtin Birin tënd, na shndërro në dëshmitarë të ndritshëm të lavdisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: