Kur e kuptoj se më do dhe i pëlqej Zotit, rijetoj

Jan 7 • Meditimi i ditës

 7 janar 2018 – E diel, Pagëzimi i Zotit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 42,1-4.6-7; Ps 29,1a.2.3ac-4.3b.9b-10; Vap 10,34-38; (ose: Is 55,1-11; Ps: Is 12,2-3.4b-6; 1 Gjn 5,1-9); Mk 1,7-11)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Zotit që më do
e vështroj gjithë atë çka më ka ndodhur ditën që po kalon,
prej këtij momenti e mbrapa, hap për hapi.
Ia përkujtoj vetes çka ka qenë mirë dhe bukur, dhe falënderoj për këtë.
I vërej edhe hijet dhe pyes çka më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 1, 7-11

 

7Gjoni në predikimet e veta thoshte:
“Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tij. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.”
9 Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. 10 Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, 11kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir Djali i dishirit! Ty të miratova!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Imagjinoje sesi ndodhesh dëshmitar i ngjarjes duke qëndruar në këmbë në ujë të cekët derisa uji shkon rreth këmbëve të tua. Merre me mend skenën dhe lejo që ajo të shpaloset para syve të tu. Si duket? I riu nga Nazareti qëndron në rend dhe pret pagëzimin nga Gjoni: një simbol i pastrimit, por edhe i lindjes – daljes nga uji në një jetë të re të bijve të dashur të Hyjit.
    • O Zot, është fillim i jetës së re kur e kuptoj se më do dhe ty të pëlqej – më miraton. Ndërsa e dëgjoj zërin tënd e di që jeta ime ka një qëllim dhe përcaktim.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »