Punëtorë të zakonshëm, njerëz të mirë

Jan 8 • Meditimi i ditës

8 janar 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sam 1,1-8; Ps 116,12-19; Mk 1,14-20)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht para teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i drurit kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mk 1, 14-20

 

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nga ti si drejtor ekzekutiv për rekrutim kërkohet që t`i shqyrtosh CV-ët (jetëshkrimet) e kandidatëve në listë: a posedojnë aftësi dhe përvoja të caktuara. Atëherë prej teje kërkohet që të gjesh njerëz profesionistë, të cilët do t`i intervistojnë ata në emër tënd. Në të kundërtën e kësaj, Jezusi shkon përgjatë bregut të liqenit, takon me dhjetëra peshkatarë, dhe më në fund zgjedh Simonin, Andreun, Jakobin dhe Gjonin. I fton në mision të përgjithshëm. Nuk e kanë përvojën dhe shkathtësinë e nevojshme për punë. Janë punëtorë të zakonshëm, njerëz të mirë. Jetëshkrimi i tyre do të ishte i shkurtër: “Jam rritur këtu. Zë peshk.”
    • Thirrja e Jezusit është e thjeshtë: “Ndiqmë!” Sot, pasuesit e tij janë trupi më i madh i besimtarëve në planet. Mos e humbsha kurrë ndjenjën e rëndësisë së këtij momenti dhe thirrjeje të jashtëzakonshme.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »