Jezusi, shembulli se çka do të thotë të jesh njeri

Jan 9 • Meditimi i ditës

9 janar 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sam 1,9-20; Ps: 1Sam 2,1.4-8; Mk 1,21-28)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.

 

Liria

”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.
Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mk 1, 21-28

 

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

24 “Çka ke me ne, o JezuNazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

25Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi mësonte me autoritet, e autoriteti i vinte nga personi i tij. Këtu shohim se çfarë do të thotë të jesh njeri në plotësi: pa frikë, plot mëshirë, plot dashuri, i zellshëm për drejtësi dhe i ndërgjegjshëm për atë çka është në zemrën e njeriut.
  • Duke e shikuar Jezusin, duke menduar për fjalët dhe sjelljen e tij edhe unë mësoj çka do të thotë të jesh njeri.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me anën e tekstit të Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa u luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »