Të mbështetesh në miq të mirë
12 janar 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Sam 8,4-7.10-22a; Ps 89,16-19; Mk 2,1-12)
Prania e Hyjit
Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë ndaj asaj çfarë jam.
Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.
Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit avash, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.
Mk 2, 1-12
1 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin. 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari.5Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit:
“Biro, të janë falur mëkatet!”
6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” 8Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha:
9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë: 11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!”
12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin:
“Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Zot, nganjëherë jam ndier i/e paralizuar, pa fuqi për të vepruar për shkak të gabimeve ose kritikave që tepër i kam marrë afër zemre. Pastaj jam mbështetur në miq të mirë që më kanë sjellë deri te momenti kur kam qenë në gjendje të të dëgjoj duke më thënë: Çohu dhe ec!
- Besimi hap derën për një marrëdhënie të gjallë me Hyjin në Jezusin. Besimi ia ka hapur derën faljes së mëkateve, shërimit të njeriut të sëmurë. Besimi i të pranishmëve i ka ndihmuar njeriut të sëmurë. Koha ime e lutjes mund t`u ndihmojë njerëzve të cilët s`i njoh. Lutja e krishterë arrin te shumë vetë.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me anën e tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.
Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa u luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Veprat e lavdishme të Gjergj Kastriotit në pendën e humanistit Dhimitër Frangu Si e dëgjoj thirrjen e Jezusit për të shkuar pas tij? »