Ejani e shihni…!

Jan 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela II gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   1 Sam 3, 3-10.19

Përshkruhet thirrja e Hyjit drejtuar Samuelit.  Pas dyshimeve të para, munge-sës së përvojës dhe këshillave të të moshuarit Eli, djaloshi fillon të dëgjojë dhe t’i bindet Zotit, dhe nga ai moment kupton dhe pranon urdhërimet e tij.  Fjala e Hyjit na paraqet me ngulm Samuelin që është gjithmonë i kujdesshëm ndaj zërit të Hyjit dhe nuk humbet asnjë fjalë të tij.

 

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë, Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” U lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre.” Heliu i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli!” Ai shkoi e ra të flinte. Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi te Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre.” Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli!” Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar.  Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi te Heliu e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur!” Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt!’” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet të rëndomtë. Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel!” E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon.”  Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  40

 

Ref: Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd.

—————————————————-

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,

dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time.

Në gojë më vuri një këngë të re,

himnin e Zotit, Hyjit tonë.

—————————————————-

Fli e dhurata ti nuk do,

vetë ma zbulove vullnetin tënd:

fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,

atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë’.

—————————————————-

Në Librin e Ligjit shkruan për mua:

“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,

Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.

—————————————————-

Drejtësinë tënde e shpalla

në kuvendin e dheut,

shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët,

o Zot, ti e di.

—————————————————-

 

 

Leximi i dytë    1 Kor 6, 13-15.17-20

Shën Pali u kujton të krishterëve të Korintit dinjitetin e trupave të tyre, të cilët tani nëpërmjet pagëzimit janë pjesë të Krishtit dhe tempull i Shpirtit Shenjt.  Na kujton detyrën për të lavdëruar Zotin në trupin tonë me një sjellje të denjë të atyre, që janë pjesë e trupit të Krishtit.  Trupi, si tempull i Shpirtit, është i paracaktuar të bëhet vendbanim i Trinisë.  Për këtë duhet të kemi kujdes për trupin.

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, trupi nuk është për fëlligështi, por për Zotin, e Zoti për trupin. Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet, edhe ne do të na ngjallë. A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos e thashtë Zoti! Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt. Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmimin! Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon. Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 1, 35-42

Apostulli Gjon na tregon për thirrjen drejtuar dishepujve të parë Andrea dhe Gjoni.  Gjon Pagëzuesi duke u takuar me Jezusin fton dishepujt e tij të bëhen ndjekësit e parë të Mësuesit hyjnor.  Jezusi shpallet si Qengji i Hyjit, Mësuesi, Mesia.  Me pak fjalë janë përmbledhur natyra njerëzore dhe hyjnore e Krishtit Jezus. Hyji i fton njerëzit të bashkëpunojnë me Krishtin duke u ofruar miqësinë e tij dhe duke u kërkuar gatishmërinë e tyre.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën: “Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?” “Ejani e shihni!” – u përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës katër mbasdite. Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!” Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb). Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Të gjesh Jezusin, ose më mirë, të jesh gjetur prej Jezusit, jo vetëm shndërron ekzistencën, por na bën dëshmitarë të shpëtimit të tij.

“Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet”. Gjoni e tregon Jezusin si qengjin që zbret prej Hyjit e dhuron jetën e tij për shpëtimin e njerëzve. Ai sheh Jezusin e pastaj flet, ndërsa dishepujt e tij dëgjojnë fjalët e Gjonit e vetëm pastaj ndjekin Jezusin: dëgjimi paraprin shikimin, dhe është e mundur të shohësh Jezusin sepse ai vetë shfaqet.

“Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: Çka kërkoni?” Ungjilltari tregon thirrjen e dishepujve të parë. Termi “ndoqën” tregon jo vetëm lëvizjen fizike por edhe ndjekjen e Jezusit, i cili bën një pyetje, të njëjtën që na drejton neve sot: po kërkon edhe ti, si këta njerëzit, Mesinë? Të dy përgjigjen me një pyetje të re: “ku banon?”, që nuk i referohet vetëm vendit fizik, por identitetit dhe përvojës së jetës së Jezusit me Atin dhe fatit të tij të kryqit dhe ringjalljes.

“‘Ejani e shihni!’, u përgjigj”. Folja shoh ka një lidhje të ngushtë me foljen besoj. Të parit e vërtetë në Gjonin është përvoja e besimit. Lajmi që Jezusi është Rabbi (mësues) dhe Mesia (Krishti) u shpërndahet nga Gjoni dishepujve dhe pastaj nga Andrea vëllait të tij Pjetrit: ungjilli përhapet nëpërmjet kontaktit direkt. Në qendër të tregimit qëndron figura e Jezusit dhe identiteti i tij (Qengji i Hyjit, Mësues, Mesia) që u zbulohet atyre që e kërkojnë dhe e ndjekin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në Krishtin Jezus jemi bërë të gjithë bij të Hyjit. Por besimi ynë në Të, ndonjëherë, është shumë i dobët.  T’i lutemi Zotit që të dimë të jetojmë dhe të dëshmojmë me guxim besimin tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

O Hyj i mëshirshëm, na dëgjo!

L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët, që, nën shembullin e dishepujve të parë të Jezusit, të dinë të jenë dritë për njerëzit dhe pikë referimi në një ecje feje dhe lutjeje për të krishterët. Të lutemi.

L. Për ata që kanë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore, që të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm, e të jenë gjithmonë të vëmendshëm për të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Për të sëmurët, të vuajturit dhe ata që gjenden në vështirësi, që të mund të takojnë burra dhe gra të mbështetur nga një bamirësi e vërtetë e krishterë. Të lutemi.

L. Për ne që quhemi të krishterë, që të dimë të jemi dëshmitarë të vërtetë të dashurisë së Hyjit me sjelljen tonë, gjithmonë të gatshëm në nevojat e vëllezërve. Të lutemi.

M. O Hyj, Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, dëgjoji lutjet tona për bashkimin e të krishterëve dhe na jep Shpirtin e bashkimit dhe të paqes, që të gjithë të jenë të njëzëshëm në rrëfimin e besimit dhe të bashkuar në lavdërimin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »