Si e dëgjoj thirrjen e Jezusit për të shkuar pas tij?
13 janar 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Sam 9,1-4.17-19; 10,1a; Ps 21,2-7; Mk 2,13-17)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,
që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.
Mk 2, 13-17
13Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:
“Eja pas meje!”
Ai u çua dhe shkoi pas tij.
15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:
“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”
17Jezusi, kur i dëgjoi, tha:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Pyes veten se si Jezusi i shqiptoi fjalët: “Eja pas meje!”; si një urdhër, thirrje, pëshpëritje, sfidë përfundimtare?
- Lejoji Jezusit që të të drejtohet në lutje. Si po e dëgjon thirrjen e tij për të shkuar pas tij – si një thirrje e butë, fjalë urgjente? Nuk ka rëndësi se si është shqiptuar thirrja. Ajo shqiptohet gjithmonë në hapësirën e lirisë personale të individit dhe bujarisë më të thellë.
Bashkëbisedimi
Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit përftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.